Investimet, 500 milionë euro në 2012
Pjesën më të madhe të fondeve do t’i marrin sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe transporteve. Fondet për investime janë parashikuar në rreth 70 miliardë lekë.
Investimet e parashikuara në buxhetin e vitit që vjen do të mbështesin infrastrukturën rrugore dhe për më tepër vetëm projektet e nisura. Mbështetjen më të madhe do ta ketë autostrada e re Tiranë –Elbasan dhe financimi i tunelit si pjesë e këtij aksi. Gjithashtu do të mbështeten me fonde Levan-Tepelenë, dhe by-passi i Fierit. Buxheti i vitit 2012 do të mbështesë përfundimin e autostradës Shkodër-Hani i Hotit dhe rrugën Qafë-Plloçë-Qukës; përfundimin e rrugës Kardhiq –Delvinë; progresin e mëtejshëm të ‘Rrugës së Arbrit’ në të dyja anët, në drejtim të tunelit, nga ‘Ura e Vashës’ dhe nga Shkalla e Tujanit në drejtim të Qafë-Murrizit. Fondet që do të mbështesin investimet kapitale do të jenë më të ulëta se të këtij viti. Llogaritjet paraprake flasin për rreth 72 miliardë lekë, nga më shumë se 73 miliardë lekë që janë vënë në dispozicion këtë vit. Mirëpo kjo shumë do të mbështesë vetëm projektet e nisura deri më tani, sidomos projektet madhore, duke mos parashikuar hapjen e fronteve të reja. Gjatë viteve të fundit infrastruktura dhe në veçanti ajo rrugore kanë qenë ndër tri prioritetet kryesore, duke përfituar dhjetëra miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Por duket se vitin e ardhshëm dy sektorët më të rëndësishëm do të jenë vetëm arsimi dhe shëndetësia. Ministria e Financave ka nisur prej më se një muaji shqyrtimin e kërkesave të dikastereve të ndryshme për buxhetin e vitit 2012. Gjatë takimeve me ministritë e linjës po përcaktohen tavanet e buxhetit për projektet e paraqitura. Ndërkaq burimet në Ministrinë e Financave shtojnë se infrastruktura rrugore pritet të mos marrë më “pjesën më të madhe të tortës” ashtu si vitet e tjera. Megjithatë, drafti përfundimtar i buxhetit do të nxjerrë në dritë dhe hollësitë e ndarjes së fondeve. Infrastruktura rrugore në Shqipëri është sektori që ka përfituar dhjetëra miliarda lekë nga buxheti i shtetit, si dhe nga financime të huaja, për vetë gjendjen e rëndë në të cilën ndodheshin rrugët tona kombëtare. Por përparësi absolute gjatë këtyre viteve ka qenë ndërtimi i ‘Rrugës së Kombit’, Durrës-Kukës-Morinë. Megjithatë, duket se me përfundimin e kësaj rruge paratë e shtetit po rrudhen nga viti në vit.
Akset rrugore që do të mbështeten me fonde në 2012
Rruga e re me tunel Tiranë-Elbasan
By-passi Plepa-Kavajë-Rrogozhinë
By-passi i Fierit
Rruga e Arbrit
Kardhiq-Delvinë
Kanali i Çukës-Butrint
Qukës-Qafë Plloçë
Unaza Korçë
Valbonë, segm B.Curri-Margegaj-Dragobi-Valbonë
Porto Romano- Durrës
Unaza e re e Tiranës-Mullet
Unaza e qytetit të Durrësit
Rr. paralele superstrada Tiranë-Vorë