E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton buxhetin 390 miliardë lekë, ja si do shpërndahen

SHKRUAN: Blerina Hoxha 05-11-2011 09:24

Këshilli i Ministrave miratoi mbrëmë projektbuxhetin e vitit 2012, me një total prej 394 miliardë lekësh, nga ku 353 miliardë lekë do të merren nga të ardhurat tatimore, ndërsa 41 miliardë lekë do të financohen me borxh të ri, ose siç njihet ndryshe, deficiti buxhetor. Ja sektorët që përfitojnë...

Blerina Hoxha

Projektbuxheti i vitit 2012 me një total 390 miliardë lekësh të programuara për t’u shpenzuar, ka marrë mbrëmë vonë miratimin e qeverisë. Kryeministri Berisha duke sqaruar disa nga drejtimet e projektit themelor financiar të qeverisë tha se buxheti i vitit që vjen do të mbështesë rritjen e rrogave dhe pensioneve, duke mos rritur deficitin buxhetor dhe borxhin në tërësi. Nga totali prej 394 miliardë lekësh, 353 miliardë lekë do të merren nga të ardhurat tatimore dhe të tjera, ndërsa 41 miliardë lekë do të financohen me borxh të ri, ose siç njihet ndryshe, deficiti buxhetor. “Ne jemi të bindur se rritja e studiuar e rrogave dhe pensioneve përbën një akt shumë të rëndësishëm në politikën e investimit të burimeve njerëzore, si edhe në fytyrën njerëzore të qeverisë. Ne sërish do jemi një ndër të paktat vende që rrisin pagat dhe pensionet dhe do ta ruajmë konstante këtë politikë”, - tha ai. Duke theksuar më tej se viti 2012 nuk është një vit elektoral dhe se nuk bëhet kjo gjë për qëllime elektorale, siç është përpjekur të thotë opozita. “Ne u qëndrojmë të gjitha premtimeve elektorale. Prandaj, uroj që deputetët e opozitës të bien dakord në parlament për miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm për këtë vend”, - nënvizoi Berisha. “Ne do të kemi infrastrukturën më moderne”. Ky ishte një premtim tjetër që Berisha bëri gjatë mbledhjes së qeverisë, duke folur për prioritetin e infrastrukturës, si dhe duke përmendur të gjitha akset kryesore kombëtare që do të investohen prej saj. Më tej ai përmendi edhe projektin e madh e të rëndësishëm të ‘Shqipërisë dixhitale’. “Shqiptarët të na kontrollojnë online”, - tha ai. Por shtoi gjithashtu se buxheti parashikon edhe një fond të veçantë për frutikulturën në këtë vend, si një ndër prioritetet e qeverisë. “Ne do investojmë çdo vit e më shumë në këtë aspekt, duke e bërë një realitet të prekshëm nga çdo shqiptar”, - theksoi kreu i qeverisë. Duke renditur më pas sektorë të tjerë të rëndësishëm që zënë vend në prioritetet e buxhetit 2012, si turizmi, mbrojtja, arsimi dhe shëndetësia, të cilat sipas tij, gjithashtu janë në listën e projekteve të rëndësishme për t’u realizuar nga qeveria. Edhe për vitin që vjen sipas prezantimit të qeverisë prioritet do t’u jepet sektorëve të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, politikave sociale që kanë të bëjnë me rritjen e pagave dhe të pensioneve e me teknologjinë e informacionit, ku Kryeministri u ndal duke premtuar se do të financohen rreth 120 projekte. Duke u bazuar në këto të dhëna vërehet se të ardhurat për vitin e ardhshëm janë parashikuar rreth 10 miliardë lekë më shumë se buxheti i rishikuar i këtij viti, ndërsa synohet të ulet deficiti buxhetor me 5.6 miliardë lekë. Ndërsa në raport me parashikimet afatmesme vërehet se ky buxhet është 10 miliardë lekë më pak se programimi i buxhetit afatmesëm për vitin 2012. Programimi i Ministrisë së Financave për projektbuxhetin e vitit që vjen është bazuar mbi një rritje ekonomike 4.1 për qind, ndërsa qeveria është treguar skeptike duke parashikuar një rritje të të ardhurave vetëm 2 për qind.

Projektbuxheti 2012, krahasuar me këtë vit

Projektbuxheti 2012

Të ardhurat 353.8 mld lekë

Shpenzimet 394.9 mld lekë

Deficiti 41. 2 mld lekë

Buxheti i rishikuar 2011

Të ardhurat 343.8 mld lekë;

Shpenzimet 390.6 mld lekë;

Deficiti 46. 8 mld lekë.

Buxheti fillestar për vitin 2011 :

Të ardhurat 362 2 mld lekë

Shpenzimet 409 mld lekë;

Deficiti 46 8 mld lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›