E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet, ku shkojnë 4.5 mld USD

 

ADI SHKEMBI
Qeveria në vitin 2010 do të investojë 925 milionë USD me një buxhet i cili arrin në 4.5 miliardë USD. Ashtu si edhe një vit më parë, zërin kryesor të shpenzimeve do ta ketë infrastruktura.
Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar që të ketë një rritje të së ardhurave nga të gjitha taksat, me përjashtim të së ardhurave doganore ku pritet të ketë rënie.
Të ardhurat
Në relacionin që shoqëron projektbuxhetin thuhet se të ardhurat nga taksa doganore për vitin e ardhshëm do të jenë rreth 7.7 miliardë lekë me një rënie prej 1.5 për qind në krahasim me një vit më parë. “Të ardhurat nga taksa doganore pritet të vazhdojnë edhe këtë vit ecurinë e tyre rënëse për shkak të zbatimit të tarifave preferenciale nga reduktimet që rrjedhin nga marrëveshjet e tregtisë së lire me vendet e rajonit (CEFTA), me Turqinë dhe me vendet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, efektet negative të reduktimit të tarifave do të kompensohen në njëfarë mase me rritjen e parashikuar të volumit dhe të vlerës së importeve nga këto vende”, thuhet në relacion. Nga ana tjetër qeveria ka parashikuar të ketë rritje të së ardhurave nga të gjitha taksat e tjera, ku rritjen më të madhe pritet ta shënojnë të ardhurat nga akciza, me rreth 15.3 për qind në krahasim me një vit më parë. “Nga totali i të ardhurave nga akciza, administrata doganore pritet të mbledhë rreth 26.8 miliard leke, ose 14.7 për qind më shumë se në vitin 2009. Administrata tatimore pritet të mbledhë 15.7 miliard lekë nga akciza, me një rritje prej 16.2 për qind kundrejt vitit 2009. Edhe këtu, do të ushtrojë ndikim rritja fundit e nivelit të akcizës mbi cigaren. Efekti në total i ndryshimeve ligjore është rreth 2.5 miliardë lek për vitin 2010”, thuhet në relacion.
Investimet
Ashtu si edhe një vit më parë investimet në infrastrukturë pritet të jenë prioritet i Qeverisë. Në zërin e buxhetit ‘shpenzime kapitale’ është parashikuar një fond prej 83.3 miliard lekë (925 milion USD) nga të cilat investime me burime të brendshme 59 miliard lekë dhe me burime të huaja 23 miliard lek. Megjithëse nuk janë detajuar zërat ku do të shkojnë këto fonde, pritet që një pjesë e tyre të shkojnë për rrugën Durrës-Kukës. “Këto nivele të shpenzimeve kapitale të brendshme reflektojnë dhe përfundimin e punimeve për rrugën Rrëshen-Kalimash, ndërkohe që financimi i shpenzimeve kapitale me burime të huaja ka një rritje prej 4.2 miliard leke krahasuar me buxhetin suplementar të vitit 2009”, thuhet në relacion. Prioritet do të jenë ato investime të cilat janë në përfundim e sipër, kryesisht në arsim dhe shëndetësi. Për sa i përket arsimit, fondi për këtë sektor do të jetë 49 miliard lekë (544 milion USD) me një rritje prej 4.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Fondi do të përdoret për pagat e punonjësve të sistemit arsimor dhe shpenzimet kapitale, të cilat në krahasim me një vit më parë janë rritur me 2 miliardë lekë. Shëndetësia në buxhetin e vitit të ardhshëm do të përfitojë 36.8 miliard lekë (400 milionë USD), në krahasim me 31.8 miliardë që ka qenë buxheti i një viti më parë. Shpenzimet për personelin do të jenë në masën 64.6 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes do të kushtojnë rreth 38 miliardë lekë.

Shkurtohen fondet për të përndjekurit e pronarët
Në buxhetin e vitit të ardhshëm qeveria ka parashikuar shkurtimin e fondeve për dy prej shtresave që e kanë mbështetur më shumë atë katër vite më parë, kur erdhi në pushtet, por edhe në zgjedhjet e 28 qershorit. Konkretisht për ish të përndjekurit ekzekutivi ka parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë (rreth 22 milionë USD) në krahasim me 3.1 miliardë (35 milionë USD) të parashikuar vitin e kaluar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kategorinë e ish-pronarëve. Gjatë vitit elektoral 2009 kjo kategori përfitoi një shumë prej 1.7 miliard lekë, ose afërsisht 19 milionë USD. Ndërkohë gjatë këtij viti ish pronarët do të marrin 700 milion lekë, ose rreth 7.7 milionë USD. Por në legjislaturën e kaluar parlamentare, partia demokratike dhe aleatët e saj kanë miratuar një ligj, sipas të cilit, ish të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët do të përfitojnë nga 10 për qind secila kategori për çdo privatizim që do të ndërmarrë Qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›