E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet në hidrocentrale mbeten në letër

Spartak Koka
Një kompani italiane që tetë vite më parë mori me koncesion 25 hidrocentrale nën premtimin për të investuar 8.6 milionë dollarë dhe për të rritur prodhimin në 38 mijë Megaëatt/orë në ditë, nuk ka kryer as një të pestën e investimeve të prodhuara, por nuk ka marrë as ndonjë penalitet nga qeveria shqiptare.
Shumë institucione shqiptare kanë dalë shpesh në konkluzionin se kontratat koncesionare të nënshkruara mes Ministrisë së Energjetikës dhe kompanisë Essegei, janë shkelur në shumë raste nga kjo kompani, por sërish, Ministria e Energjetikës është treguar gjithmonë e gatshme të ndryshojë kontratën dhe të shmangë penalitetet.
Kompania e nënshkroi kontratën e parë në vitin 2002, si një koncesion i pakërkuar. Ajo mori përsipër të rehabilitonte hidrocentralet brenda gjashtë vitesh, në një kohë që Shqipëria vuante një krizë të rëndë energjetike me ndërprerje dritash deri në tetë orë në ditë në të gjithë vendin. Kriza e thellë energjetike krijoi bindjen se shqiptarët mund të shpëtonin nga errësira përmes investimeve me koncesion dhe formalisht, dihet se prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri mund të trefishohet me ndërtimin e hidrocentraleve të reja.
Në vitin 2002, qeveria filloi të eksperimentojë me dhënien e lejeve koncesionare, ndërsa në vitin 2007, eksperimenti u krye në shkallë të gjerë.
“Në 18 muaj, mund të informoj shqiptarët se asnjë proces tjetër në vend nuk ka lëvizur më shpejt, sesa procesi i koncesioneve të hidrocentraleve, madje pakrahasimisht më shpejt se në çdo vend tjetër. Kjo, në radhë të parë, për meritën e konceptit të ligjit dhe të ndjekjes së tij,” – deklaroi kryeministri Sali Berisha në dhjetor të vitit 2008. “Vendi njohu një garë të paprecedent të kompanive vendase dhe të huaja, ndër më të mëdhatë në Europë, në projekte, studime të leverdishmërisë dhe studime të mjedisit. Dhe rezultat i saj janë 146 hidrocentrale, nga kaskadat, deri tek hidrocentralet nën 1 megavat, me një bilanc prodhimi të projektuar dy herë më të madh se prodhimi i sotëm i vendit,” – vijoi më tej ai.
Essegei qe kompania e parë që mori koncesione të tilla dhe kishte detyrimin kontraktual që të vendoste në punë 18 hidrocentrale brenda vitit 2005-2006. Por në vitin 2006, Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një inspektimi në Ministrinë e Energjetikës, doli në konkluzionin se “Shoqëria koncensionare “Essegei” s.r.l u ka dhënë me nën-koncension disa shoqërive shqiptare 17 hidrocentrale vendorë , në kundërshtim me ligjin “Për koncensionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”. KLSH shtonte gjithashtu se kompania i detyrohej qeverisë shqiptare 634 mijë dollarë për shkak se nuk kishte kryer investimet e premtuara. Në vend të mbledhjes së këtij detyrimi, qeveria vendosi në vitin 2007 të ndryshojë kontratën koncesionare me kompaninë Essegei, duke i dhënë një afat të ri për kryerjen e investimeve.
"Për disa nga kontratat koncesionare për ndërtimin e hec-eve të vegjël, ekzistonin të gjitha kushtet ligjore për prishje të njëanshme të tyre nga ana e shtetit shqiptar. Por, qëllimi ynë nuk ishte prishja e kontratës, por funksionimi sa më i drejtë në përputhje me detyrimet nënkontraktore i këtyre koncesioneve", tha në atë kohë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, duke iu referuar rinovimit të kontratës koncesionare me kompaninë italiane Essegei.
Kompania nuk e respektoi as kontratën e dytë dhe në shtator 2009, qeveria i dha një afat të ri për 31 dhjetorin e vitit 2010. Për më tepër, kompania ia dorëzoi qeverisë tre prej hidrocentraleve që i mbajti për tetë vjet pa kryer investime. Ndërkohë, një pjesë e hidrocentraleve të marra me koncesion, që qenë ndërtuar gjatë kohës së komunizmit, vijuan punën dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, ka detyrimin ligjor të blejë të gjithë energjinë e prodhuar nga Essegei.
Nuk qe e mundur të kontaktohej me kompaninë Essegei, për shkak se telefonat e adresës së saj zyrtare nuk i ngrinte askush.
Shqipëria ka nënshkruar disa dhjetëra kontrata koncesionare për ndërtim hidrocentralesh, të cilat teorikisht do të prodhojnë energji të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë konsumin e vendit pa u detyruar të importojmë. Por sot nuk është më sekret se shumica dërrmuese e këtyre hidrocentraleve kanë mbetur në letër.
“Disa janë në përfundim por duhet thënë se janë pak, përafërsisht tetë për qind e numrit të lejeve të dhëna,” deklaroi më 4 janar Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti në emisionin Antinomi në TV Koha. Prifti tha se një prej shkaqeve të vonesave në kryerjen e investimeve qe edhe kriza financiare botërore.
“Ka investitorë të cilët i kanë marrë lejet por për shkak të vitit të fundit lejet kanë skaduar. Ka investitorë që janë rikthyer për të kërkuar shtim afati dhe janë të gatshëm për t`i dhënë garanci qeverisë se do t`i përfundojnë investimet,” vijoi më tej Prifti.
Drejtori për Shqipërinë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Daniel Berg, ofron një shpjegim të ndryshëm nga kriza. BERZH ka shprehur interesim për të investuar në hidrocentrale në Shqipëri dhe ky institucion i ka rritur investimet gjatë kohës së krizës.
"Ne jemi të interesuar për këtë treg. Kemi krijuar një dritare të posaçme për financimin e hidrocentraleve të vegjël. Por po përballemi me një miks problemesh", tha Berg për mediat në shtator 2009.
"Disa nga klientët e interesuar nuk kanë shumë eksperiencë në tregun e energjisë elektrike dhe disa prej tyre nuk kanë shumë kapitale të vetat. Ndoshta ligji për koncesionet nuk e bëri të qartë mjaftueshëm se nëse kërkon një koncesion, përfundimisht duhet të kesh para të disponueshme për investim dhe të kesh një partner me eksperiencë," thotë Berg.
Në faqet italiane të internetit për njoftime të vogla pa pagesë, në vitin 2008, disa nga kompanitë që kishin marrë leje koncesionare për hidrocentrale, nxorën njoftimin se kërkonin partnerë për të kryer investimet.
“Pa diskutim ka edhe histori sekserësh, sa të duash. Ka leje koncensionesh [që janë marrë] për t`u shitur. Ata që i kanë marrë si koncensione nuk kanë mundësi t`i ndërtojnë , mbase që në fillim kanë pasur synimin për të mos ndërtuar por për të shitur lejen. Këto janë histori që janë të vërteta dhe unë nuk mund t`i mohoj,” tha Prifti.
"Mendoj se pyetja tjetër e madhe mund të jetë: Për sa kohë një kompani mund të mbajë kontratën koncesionare pa bërë asgjë me të. Mendoj se duhet të ketë një afat kohor. Nëse pas tre apo pesë vjetësh, nuk ke bërë asgjë me koncesionin që ke fituar, atëherë qeveria duhet të të pyesë se çfarë po bën. Pra kemi një situatë në të cilën njerëzit mund të ulen mbi një projekt të fituar me koncesion për një kohë shumë të gjatë pa pasur para dhe pa pasur eksperiencë. Kjo duhet riparë. Gjithsesi, kam parë disa koncesione që duken premtuese. Por nuk duhet harruar se digat janë projekte të rrezikshme, të komplikuara dhe të vështira. Ju duhet të kini shumë kujdes me to", shtoi Berg.
Ky artikull fitoi çmimin e parë në konkursin e zhvilluar në kuadër të Projektit "Gazetaria Investigative: Mjetet ligjore dhe etike", i cili realizohet nga Millennium Club Center me mbështetjen e Fondacionit SOROS

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›