E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis vala e grabitjeve, 8 të arrestuar në 24 orët e fundit

Tre të mitur në Durrës grabisin një shtëpi dhe shesin objektet e vjedhura. Arrestohet pas 5 muajsh në kërkim autori i vjedhjes së banesës në Durrës
Rritet ndjeshëm numri i grabitjeve në vend. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, uniformat blu të Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit, kanë vënë në pranga 8 persona të dyshuar për një numër grabitjesh të kryera në këto qytete. Gjithashtu Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim një person, pasi gjurmët e tij të gishtave janë gjetur në një vendngjarje vjedhje. Ndërsa në qytetin e Korçës, një person ka denoncuar se i janë vjedhur nga xhepi rreth 35 mijë lekë dhe policia e këtij qyteti ka nisur hetimet për identifikimin e autorit.
Durrës, tre të mitur në pranga
Tre të mitur, respektivisht 13, 14 dhe 15 vjeç, janë ndalur nga policia e qytetit bregdetar, pasi ata akuzohen se dy ditë më parë kanë vjedhur banesën e një personi në Lagjen Nr. 8 të këtij qyteti. Sipas policisë, bëhet fjalë për E. K., 14 vjeç, M. Q., 15 vjeç dhe A. D., 13 vjeç, që të tre lindur dhe banues në Durrës dhe nxënës të shkollës “Demokracia” në Durrës. Këta tre persona dyshohet se më datë 05.014.2010 kanë vjedhur banesën e shtetasit I. Sh., banues në Lagjen Nr. 8 Durrës. Sipas policisë, ata kanë marrë sende të ndryshme me vlerë 400 mijë lekë, të cilat më pas i kanë shitur në një pikë grumbullimi. Për këta tre të mitur, policia e Durrësit ka nisur procedimin në gjendej të lirë, për shkak të moshës së tyre, lidhur me veprën e “vjedhjes në bashkëpunim”.

I vjedhin me dhunë celularin, tre veta në pranga
Nën kërcënimin e dhunës, tre të rinj kanë arritur t’i vjedhin celularin një personi. Lajmi bëhet i ditur nga ana e Policisë së Tiranës, e cila konfirmon se ka arritur të vërë në pranga tre autorët: Arlind Muça, 21 vjeç, lindur në Has dhe banues në Bathore, Vaim Tanushi, 21 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Bathore dhe Hafiz Daci, 22-vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dy ditë më parë, pranë Rrugës së Durrësit, ku këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur me dhunë telefonin celular një shtetasi. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dha ka mundur të arrestoj tre personat mbi të cilët rëndon akuza e “vjedhjes me dhunë”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular i grabitur, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

Vjedh bizhuteri në një shtëpi, pranga 19-vjeçarit

Kreshnik Mziu është vënë në pranga nga policia e Tiranës pas dyshohet se më datë 3.12.2009, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë vjedhur banesën e një shtetasi. Sipas policisë, mësohet se ata kanë arritur të grabisin një shumë prej 2000 eurosh, 2 kasetofonë makine, 2 ora floriri, një byzylyk floriri, një unazë floriri edhe një makinë qethëse. Mziu është shpallur në kërkim që më datë 7 dhjetor 2009, por vetëm ditën e djeshme është bërë i mundur arrestimi i tij. Ndërkohë që policia e kryeqytetit është duke punuar për të identifikuar dy bashkëpunëtorët e Kreshnik Mziut.

Kapet pas 5 muajsh i dënuari me 5 muaj burg
Policia e Durrësit ka arritur të arrestojë ditën e djeshme, pas 5 muajsh kërkime Sadik Valterin, vitlindja 1989, lindur në Burrel e banues në Lagjen Nr. 17 Durrës. Ky person është shpallur në kërkim nga ana e policisë më datë 23.07.2009, pasi më datë 26.02.2009 dyshohet se ka kryer vjedhjen e banesës së shtetasit S. M. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendim të datës 02.07.2009, e ka dënuar këtë person me 5 muaj burg dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 13.07.2009.

I gjenden gjurmët e gishtave në vendngjarje, në kërkim Cacollari
Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim Brahim Cacollarin, i dyshuar për vjedhje. Uniformat blu të këtij qyteti njoftojnë se Brahim Cacollari, 30 vjeç, lindur e banues në fshatin Drenovë, komuna Vërtop Berat, në bazë të aktit të ekspertimit daktiloskopik rezulton se gjurmët e gjetura në vendngjarje më datë 28.10.2009, mbi vjedhjen e disa artikujve ushqimorë në automjetin me targa LB 1096 A, në pronësi të shtetasit E. B., lindur e banues në Librazhd, i përkasin këtij shtetasi.

I vjedhin lekët nga xhepi në një pikë lotoje
35 mijë lekë është shuma që i është vjedhur nga xhepi një personi nga Korça. Sipas tij, në ambientet e një pike lotoje i kanë marrë nga xhepi 35 mijë lekë. I. Steneci ka bërë kallëzimin në policinë e qytetit juglindor lidhur me këtë vjedhje, e cila është duke punuar për të identifikuar autorin e kësaj grabitjeje.

Drogë në paraburgimin 313

Drogë në Burgun 313. Një qese me lëndë të dyshuar si Cannabis sativa është gjetur disa ditë më parë në telat rrethues të paraburgimit 313 në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, mësohet se kjo qese është hedhur nga persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë pasur si qëllim futjen e saj brenda ambienteve të burgut, por kjo tentativë ka dështuar, pasi qesja me lëndë narkotike ka mbetur në telat rrethues të burgut, duke u pikasur më pas nga policët. Po sipas të njëjtave burime mësohet se kjo sasi është hedhur nga pas godinës së burgut, ngjitur me godinën e Shërbimit të Provës. Personat janë futur brenda një lavazhi që ndodhet afërt murit rrethues të paraburgimit 313. Që aty ata kanë tentuar të kalojnë qesen me lëndë narkotike brenda rrethimit, por pa sukses.
Policia e Tiranës dhe ajo e Drejtorisë së Burgjeve janë duke punuar për të identifikuar personin për të cilin ishte adresuar droga, si dhe atë që ka tentuar futjen e saj brenda mureve të burgut. Aktualisht nuk ka asnjë emër konkret, por është duke u punuar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, e cila dyshohet që të ketë ndodhur në ditët e para të këtij viti.
Mësohet se menjëherë pas zbulimit të sasisë së drogës janë vënë menjëherë në lëvizje të gjitha strukturat e Policisë, Drejtorisë së Burgjeve si dhe të Shërbimit të Provës.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›