E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, dy të plagosur në Rinas

Dy të plagosur është bilanci i një aksidenti që ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në aksin rrugor Vorë – Fushë-Krujë. Dy automjete tip trajler, një me targa të Bulqizës dhe tjetri me targa të Durrësit, i ngarkuar me karburant, janë përplasur me njëri-tjetrin në afërsi të kryqëzimit të Rinasit. Si pasojë e përplasjes së mjeteve kanë mbetur të plagosur lehtë dy persona dhe fatmirësisht ngarkesa me karburant nuk ka marrë asnjë goditje. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë. Për shkak që hetimit të aksidentit rruga u mbajt e bllokuar për rreth 40 minuta. Nga hetimet e para të kryera nga hetuesit e aksidenteve rezulton se ngjarja ka ndodhur për shkak të hyrjes në parakalim të trajlerit me targa të Bulqizës.

Tentoi të rrëmbente më dhunë, arrestohet agresori

KORÇË - I është futur te dhoma e saj dhe ka tentuar ta marrë me forcë për ta çuar në shtëpinë e tij. Kjo është ngjarja që i ka ndodhur një 19-vjeçareje nga fshati Ormen-Pojan i Korçës, e cila ka denoncuar në polici agresorin që deshi ta rrëmbente nga shtëpia. Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Korçës, sipas të cilave ky person është ndaluar tashmë. Mësohet se ai është 27-vjeçari Manuel Halimi, ndaj të cilit u kryen veprimet hetimore procedurale për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë e mbetur në tentativë dhe dhunim i banesës”, ndërsa materialet e mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë së Korçës për hetime të tjera.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›