E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ushtarakët, Raporti i të Drejtave të Njeriut, shuplakë qeverisë për trajtimin e tyre

Jonida Tashi

Qeveria nuk i ka trajtuar ish-ushtarakët sipas të drejtave ligjore që u takojnë me ligj. Tashmë ky fakt nuk është më vetëm një pretendim i kësaj kategorie, por edhe një konkluzion i nxjerrë edhe nga Raporti Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut, për vitin 2009, për vendin tonë. Sipas këtij raporti, Shoqata e Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, në punën e saj për të drejtat e ushtarakëve në rezervë vë në dukje se Ligji Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, u ndryshua me Ligjin Nr.9481, datë 16.02.2006, i cili i përkeqësonte disa parametra të Ligjit Nr.9418.
Raporti
Duke marrë parasysh odisenë ligjore të ushtarakëve, për të fituar të drejtën e tyre të trajtimit financiar, në raport theksohet se pas ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit i dha të drejtë Shoqatës së Ushtarakëve me vendimin nr.9, datë 26.02.2007. “Sipas Shoqatës së Ushtarakëve, qeveria nuk e zbatoi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, përkundrazi në datën 15.05.2009 miratoi në Parlament ligjin nr.10142, i cili i përkeqësonte edhe më tej të drejtat e përfituara nga ligjet e mëparshme dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”,- theksohet në Raportin e të Drejtave të Njeriut për ish-ushtarakët. Më tej, në raport është cituar se Shoqata e Ushtarakëve i është drejtuar përsëri Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit 10142, i cili ndër të tjera në nenin 29 kërkon ndryshimin dhe moszbatimin e vendimeve të gjykatave të formës së prerë, gjë që i jep ligjit edhe fuqi prapavepruese, duke bërë që mjaft procese gjyqësore të ushtarakëve për të drejtën e tyre pensionit, të ndërpriten, duke u hequr ushtrimin e së drejtës së tyre pranë organeve gjyqësore.
Trajtimi
Barazi trajtimi financiar midis ish-ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit. Këtu ka zënë fill rrënimi i të drejtave financiare, që kategoritë e mësipërme kanë fituar nga ligjet e mëparshme, të cilat nuk do të kenë më asnjë vlerë, nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta shfuqizojë ligjin e shumëpërfolur Nr.10142, për trajtimin financiar të ish-ushtarakëve, policëve etj. Ndonëse nuk ka dalë ende vendimi final i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin Nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka hyrë në fuqi më datën 28.06.2009, ekspertët e përfaqësuesve të mësipërm kanë evidentuar se cilat janë përfitimet financiare që rrëzohen nga ky ligj. Vetëm për ish-ushtarakët ky ligj ka më së paku 19 dispozita antikushtetuese, të cilat rrënojnë edhe të drejtat e fituara nga ligjet e mëparshme për trajtimin e tyre financiar. Ndërsa pikat ku “takohen” ish-ushtarakët dhe punonjësit e policisë në këtë ligj, të cilat cenojnë njëlloj përfitimet e tyre financiare janë tetë. Konkretisht bëhet fjalë për nenet: 3/3; 4/2; 12/1,2,3; 14/1; 22; 27 dhe 29/2 të Ligjit Nr.10142, datë 15.05.2009, për të cilët, Avokati i Popullit i ka kërkuar Kushtetueses që të bëjë shfuqizimin e tyre si të papajtueshëm me Kushtetutën, sepse cenojnë të drejtat e tyre ekonomiko-financiare, të përfituara me aktet normative të mëparshme. Aktualisht, mjaft punonjës policie dhe ushtarakë që janë në detyrë apo të liruar, por që trajtohen me pagesë kalimtare ose me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, ankohen për cenim të disa të drejtave të fituara apo të pritshme nga Ligji Nr.8661, datë 18.09.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”.

Përfitimet që rrëzohen nga ligji i ri
1. Është rritur koha e vjetërsisë në shërbim për efekt të përllogaritjes së përfitimeve. Sipas nenit 3, pika 3 e ligjit të ri, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë. Ndërsa sipas nenit 5, germa “a” të ligjit të mëparshëm, në çdo rast, periudha 6 muaj e 1 ditë quhet vit i plotë.
2. Është ulur masa e pagës referuese, e cila është bazë për llogaritjen e përfitimeve nga ligji. Sipas nenit 4 të ligjit të ri, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Ndërsa sipas nenit 5, germa “b” të ligjit të mëparshëm, paga referuese është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm, që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit.
3. Është shtyrë koha për fillimin e trajtimit financiar me pagesë kalimtare të punonjësve të policisë. Sipas nenit 12 të ligjit të ri, pikat 1 e 2, pagesa kalimtare fillon pas dy muajsh nga koha që ai nxirret në rezervë apo lirim domethënë në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim. Ndërsa sipas nenit 6 të ligjit të mëparshëm, trajtimi financiar me pagesë kalimtare fillonte nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare domethënë menjëherë pas nxjerrjes në rezervë apo lirim.
4. Është ulur koha maksimale e trajtimit me pagesë kalimtare. Sipas nenit 12 të tij, pika 3, ajo është bërë deri në 24 muaj (dy vjet), ndërsa sipas nenit 6 të ligjit të mëparshëm, koha maksimale e trajtimit me pagesë kalimtare ishte deri në tre vjet.
5. Është ulur masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Sipas nenit 14, pika 1 e ligjit të ri, pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 % e pagës mesatare referuese mujore. Ndërsa sipas nenit 12 të ligjit të mëparshëm ajo ishte 50 % e pagës referuese, që sipas nenit 5, germa, “b” të ligjit të mëparshëm, paga referuese është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm, që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit.
6. Është hequr përfitimi për shpenzimet e varrimit dhe ndihma e menjëhershme për pjesëtarët e familjes së punonjësit të policisë që nuk është në detyrë në rast vdekje. Sipas nenit 22 të ligjit të ri, këtë të drejtë e përfitojnë pjesëtarët e familjes së punonjësit të policisë që humb jetën në detyrë apo për shkak të detyrës, d.m.th. kur ai është në detyrë (punë). Ndërsa sipas nenit 11 të ligjit të mëparshëm, këtë të drejtë e përfitonin jo vetëm familjarët e punonjësit të policisë aktiv, por edhe familjarët e punonjësit të policisë në dispozicion, të pezulluar, me pagesë kalimtare, në pension, student, kursant ose ushtar.
7. Sipas nenit 27 të ligjit të ri, nuk përfitojnë nga ky ligj ushtarakët e nxjerrë në lirim, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje;
8. Rillogaritja e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare të caktuar me Ligjin Nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”. Kjo dispozitë u mohon në mënyrë të hapur të drejtat e njohura dhe përfituara nga ligji i mëparshëm apo nga vendimet e gjykatave për një numër të konsiderueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë nxjerrë në lirim për shkak të reformës në Policinë e Shtetit dhe trajtohen me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, me pension suplementar apo me vendime gjyqësore.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›