E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët kanë frikë nga vaksina e gripit të derrit

Studimi I ISHP-së: Vetëm 5 për qind e dozave të shpërndara janë përdorur
Eljona Lata

Shqiptarët kanë frikë nga vaksina e gripit të derrit. Në këtë përfundim ka arritur Instituti i Shëndetit Publik pas një studimi mbi dozat që janë marrë deri më tani për vaksinim. Specialistët e ISHP-së e kanë argumentuar këtë frikë me përqindjen e dozave të vaksinës që janë tërhequr deri më tani. Ndërkohë nga ana tjetër numri i viktimave dhe të prekurve nga gripi i derrit po vazhdon të rritet nga dita në ditë. Masat për të parandaluar virusin janë marrë nga MSH ku ka importuar nga Hungaria 10 mijë doza dhe më pak se 400 e popullsisë është vaksinuar. Burime konfidenciale pranë klinikave në kryeqytet bëjnë të ditur se deri tani asnjë person nuk është regjistruar për t’u vaksinuar.
Situata
Deri tani ka pasur dhjetë viktima të cilët kanë humbur jetën për shkak të virusit A/H1N1. Viktima e fundit ishte një grua 55-vjeçare nga Fieri e cila humbi jetën para dy ditësh për shkak të gripit të derrit dhe komplikacioneve të tjera me shëndetin. Aktualisht në të gjithë vendin numërohen rreth 418 persona të prekur nga gripi pandemik, por sipas ISHP numri mendohet të jetë më i madh pasi analizat u merren vetëm personave të prekur rëndë.
Sipas të dhënave nga spitalet e vendit,në gjendje të rëndë për jetën si pasojë e prekjes nga gripi i derrit janë 5 persona
Sipas mjekëve virusi A/H1N prek më shumë pacientët kronikë, ndaj specialistët bëjnë thirrje për kryerjen e vaksinës sidomos nga kjo kategori. Por shihet një neglizhencë nga ana e qytetarëve për të për tu vaksinuar. Ata shprehen se kanë frikë nga efektet anësore që mund të shkaktojë vaksina. Sipas specialistëve kjo vaksinë nuk ka efekte anësore të rrezikshme për jetën por ajo nuk rekomandohet për personat që kanë alergji nga veza.
Masat
Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për përgatitjen e ambienteve për pritjen e pacientëve të prekur. MSH-ja ka blerë 10 mijë doza vaksinash kundër virusit pandemik, nga Hungaria. Edhe pse kjo vaksinë nuk ndodhet në dozat e nevojshme për mbulimin e popullatës, vetëm 5% e saj është përdorur. Sipas planit të vaksinimit të hartuar nga ISHP, në fazën e parë të vaksinimit të popullatës ishin përfshirë fëmijët e moshës 1 deri në 6 vjeç,të sëmurët kronikë dhe personeli shëndetësor. Por që në ditët e para të nisjes së fushatës së vaksinimit u vu re një tërheqje e mjekëve ndaj vaksinës, ndonëse sipas ISHP ata ishin një kontingjent i rriskuar nga gripi i derrit pasi ishin në kontakt me të sëmurët. Sipas Alban Yllit, drejtorit të ISHP-së, 9 mijë doza janë shpërndarë nëpër poliklinika dhe më pak se 400 persona janë vaksinuar. Ministri i Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të marrin masa për t’u vaksinuar për të parandaluar përkeqësimin e situatës të shkaktuar nga gripi derrit.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›