E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet ne infrastrukture Berisha takon perfaqesues te Grupit austriak TECTON

Kryeministri Berisha takoi sot përfaqësues të Grupit austriak TECTON, e mirënjohur në projektim dhe ndërtim në fushën e infrastrukturës, kryesisht në hekurudha, rrugë, tunele, të kryesuar nga Christian Müller. 
Zoti Müller i shprehu Kryeministrit përgëzimet për performancën e ekonomisë shqiptare dhe klimës së biznesit për investime në Shqipëri. Ishin pikërisht këto arsyet, si dhe eksperiencat e suksesshme të kompanive austriake, tha zoti Müller, që tërhoqën vëmendjen e Grupit tonë, për të përfshirë Shqipërinë në hartën e interesit për bashkëpunim dhe investim. Sipas parashtrimit të zotit Müller, hekurudhat janë qendra e interesit të biznesit të tyre, që, konkretisht, materializohet në segmentet Durrës-Tiranë, përfshirë aeroportin dhe Porto Romanon, si dhe segmente të tjera të hekurudhës, për transport pasagjerësh apo mallrash. 
Në këtë linjë, Kryeministri Berisha theksoi se pas sistemit rrugor, është sistemi hekurudhor që projektohet për zhvillim dhe në qendër të politikave zhvilluese të këtij sektori është lidhja e Shqipërisë me rrjet hekurudhor me rajonin, Europën e përtej dhe konkretisht, segmentet hekurudhore që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë dhe Bullgarinë, si dhe me Prishtinën. Gjithashtu, rikonstruksioni i rrjetit ekzistues, tha Kryeministri, është projekt i rëndësisë së veçantë që tërheq edhe më tepër vëmendjen, me zhvillimin e portit të Durrësit apo portit të Vlorës, si porte rajonalë.
Sipas kreut të ekzekutivit projektet e kompanisë TECTON janë të mirëpritura dhe kanë mbështetjen dhe garancinë e suksesit nga qeveria shqiptare, sepse lidhja hekurudhore, pas saj rrugore, është një domosdoshmëri jetike për zhvillimin e shpejtë e të qëndrueshëm të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›