21 janari dalin ne drite fakte te reja
Në seancën gjyqësore kundër ish shefit të gardës së republikës Ndrea Prendi shoferit të tij Margarit Kume dhe gardistit Agim Llupo kanë dalë në dritë fakte të reja dhe me interes për çështjen e 21 janarit. Ka qenë eksperti mjeko-ligjor Ndoc Çardaku ai, që ka deklaruar para gjykatës se plumbi që ka vrarë Ziver Veizin ka qenë plumb rrikoshet dhe jo i drejtëpërdrejtë. Eksperti ka sqaruar me detaje teknike se vrima e hyrjes se plumbit në trupin e viktimës vërtetontë se plumbi më parë ka goditur një objekt tjetër dhe më pas viktimën. Po ashtu eksperti ka shtuar se në këmishën e Ziver veizit pranë vendit ku është goditur ka gjetur 2 fibra druri, të cilat nga ekspertiza kanë rezultuar se ishin mbetje të predhës dhe jo të mbartura nga këmisha, gjë e cila korrespondon edhe me vrimën e çrregullt të hyrjes së predhës. Dëshmia e ekspertit Ndoc Çardaku ka tronditur prokurorinë, e cila e ka kundërshtuar dëshminë e tij duke thënë se i kalon kompetencat e tij si ekspert mjeko-ligjor pasi po flet si ekspert balistik. Megjithatë organi i akuzës i ka kërkuar gjykatës që ta marrë në pyetje seancën e ardhshme ekspertin për të sqaruar detaje të mëtejshme. Ndërkohë pas seancës gjyqësore avokati i Ndrea Prendit, Genc Gjokutaj ka deklaruar se hetimet e prokurorisë janë të paplota dhe se provat ishin aty dhe organi i akuzës nuk ka dashur t’i analizojë siç duhet. Seanca e ardhshme u shty për të hënën e ardhshme në datë 10.