E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet në kryeqytet fusin Prishtinën në kredi

Prishtinë, 12 gusht - Plani për zhvillimin dhe investimet kapitale në infrastrukturën e kryeqytetit për periudhën kohore 2010- 2013 do ta fusë Prishtinën në kredi. 30 milionë euro është shuma e të hollave që Komuna e Prishtinës ka paraparë t`i marrë kredi për të investuar në sektorë të ndryshëm. Sipas zyrtarëve komunalë, marrja e këtyre kredive deri tani ka qenë e kushtëzuar me miratimin e Ligjit për huamarrjen publike. “Deri tani nuk ka qenë e mundur të bëhen investimet përmes formës se huamarrjes ngase ka munguar baza ligjore, ndërsa tani pas aprovimit të këtij ligji komunave u lejohet një huamarrje e tillë me qëllim të realizimit të investimeve”, ka thënë Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës. Sipas tij, procedurat për huamarrje publike kërkojnë që çfarëdo kredie të diskutohet dhe miratohet paraprakisht në Asamblenë Komunale të Prishtinës. “Marrja e kredive eventuale duhet paraprakisht të miratohet në Asamblenë e Komunës dhe aty precizohet shuma e marrjes së kredisë, koha e kthimit, kostoja e përfitimit dhe modalitetet e tjera”, ka precizuar Gashi. Ky i fundit ka pohuar që Komuna e Prishtinës ka paraparë që kredia të kërkohet dhe shfrytëzohet vetëm për projekte që kanë kosto të madhe financiare. “Kredia është menduar të shfrytëzohet në projektin e unazës së qytetit e cila padyshim kërkon investime të mëdha, si dhe në projekte të tjera që llogariten të jenë projekte që nuk mund t’i përballojë buxheti i komunës”, ka potencuar Gashi, teksa ka pranuar që është qëndrim i zyrtarëve të Komunës që forma e investimeve përmes kredisë do të jetë forma e fundit me të cilën do të bazohet Komuna e Prishtinës.
Për ligjëruesin e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Naim Hasolli, marrja e kredive nga institucionet lokale duhet të bëhet vetëm nëse respektohet një kusht. “Nëse kredia investohet në fusha që kanë karakter gjenerues dhe jo bllokues, atëherë marrja e një kredie mund të jetë pozitive dhe dobiprurëse, sepse logjika e marrjes së kredive nga institucionet është e ngjashme me atë të marrjes së kredisë nga një person privat”, ka theksuar Hasolli. Sipas tij, nëse kredia investohet në gjëra që nuk janë gjeneruese, ajo shndërrohet në barrë dhe pengesë për zhvillim.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se huamarrja publike nuk do të manifestohet me probleme nëse respektohet Ligji për huamarrje.  “Me këtë ligj asnjë institucion nuk mund të marrë kredi bankare nëse Auditori i përgjithshëm ka gjetur të palara në atë institucion që aplikon ose kërkon kredi dhe kjo është logjikë e pranueshme, ngase nuk mund t’i ofrohet kredia një institucioni i cili bën keqpërdorime dhe abuzime me paranë publike”, ka pohuar Agron Demi nga Instituti GAP. Sipas tij, ndonëse ligji në përmbajtje paraqet materie të mirë, ai prapë nuk është i plotë, ngase institucioneve që kanë suficit buxhetor vjetor nuk do të duhej t`u lejohej marrja e kredive.
Sipas planit për zhvillimin e Prishtinës, shuma e investimeve në kryeqytet brenda viteve 2010 – 2013 do të arrijë shifrën e 680 milionë eurove. Sipas këtij plani, 180 milionë euro që do të sigurohen nga të hyrat vetjake, 80 milionë nga legalizimi i objekteve pa leje, 250 milionë nga partneriteti publiko-privat, 40 milionë nga granti qeveritar, 30 milionë nga huamarrja dhe 100 milionë euro nga donatorët.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›