E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiritat në “Bill Klinton” ngushtojnë shtegun e gjelbër

Prishtinë, 12 -  Zgjerimi i rrugës “Bill Klinton” nga 4 në 6 korsi ka detyruar projektuesit e kësaj rruge që ta zvogëlojnë shtegun e gjelbër brenda shiritave të asfaltit. Ridvan Shahini, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, ka theksuar se një veprim i tillë ishte i domosdoshëm.
“Shtegu i gjelbërimit, i cili ka qenë më parë 4 metra i gjerë, tashti do të zvogëlohet në vetëm një metër gjerësi”, ka thënë Shahini. Sipas tij të tre shiritat e rrugës do të jenë të gjerë  9 metra e 75 centimetra derisa, sipas tij, secili shirit do të ketë gjerësi 3.35 metra.
Ndërsa për gjerësinë e përgjithshme të infrastrukturës së kësaj rruge, ku parashihen edhe gjelbërimi dhe trotuaret, Shahini ka treguar se do të jetë e gjerë 27 metra e gjysmë.
Por, disa nga banorët e kësaj rruge kanë dyshime se rruga po zgjerohet. “Komuna po thotë se rruga do të bëhet me 6 shirita, por unë dyshoj. Nga ajo që po vërej, zgjerimi në aq shirita po më bëhet i pamundshëm”, ka thënë Shiqeri Gashi, banor në njërën nga ndërtesat e lagjes “Dardania”. Ndërkaq për Arben Rrustemin, në këtë rrugë vetëm sa po krijohet hapësirë më e përshtatshme për parkim të kundërligjshëm. Por, dyshimet e tilla për Shaninin nuk janë të qëndrueshme.
“Askush nuk duhet të dyshojë se rruga nuk do t’i ketë 6 korsi. Kjo punë është e kryer”, ka thënë Shahini.
Ndryshe, zgjerimi i rrugës “Bill Klinton” ka filluar në prill dhe pritet të përfundojë për gjashtë muaj. Vlera e projektit kalon  mbi 1 milion euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›