Investimet në projekte të sapoçelura 120 milionë dollarë, paratë nuk janë të gjithaNga Fitim ZekthiInvestimet në infrastrukturë, në projekte të reja, që nisin vetëm tani, gjatë muajve të fundit kanë kapur shifrën e rreth 120 milionë dollarëve. Të dhë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Investimet në projekte të sapoçelura 120 milionë dollarë, paratë nuk janë të gjithaNga Fitim ZekthiInvestimet në infrastrukturë, në projekte të reja, që nisin vetëm tani, gjatë muajve të fundit kanë kapur shifrën e rreth 120 milionë dollarëve. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se këto projekte të reja, kryesisht në rrugë, kanë të siguruar vetëm 10% të financimit dhe pjesa tjetër ende nuk është përcaktuar. Në buxhetin e shtetit të këtij viti nuk janë parashikuar këto investime për t’u financuar. Financimi i tyre do të bëhet në buxhetin e vitit që vjen. Në të vërtetë këto projekte të reja që po nisin do të mbesin vetëm te financimi i nisjes së punimeve, domethënë vetëm te livrimi i 10% të fondit të duhur. Investimet gjatë katër muajve të parë të këtij viti kanë qenë të larta dhe një pjesë e madhe e tyre kanë shkuar për financimin e rrugës Durrës-Kukës, e cila veç parave të të ardhurave të brendshme ka marrë edhe një pjesë të konsiderueshme të kredisë prej 250 milionë eurosh që qeveria mori pak kohë më parë. Projektet e reja, të cilat kanë një vlerë prej 120 milionë dollarësh së bashku, kanë të siguruar vetëm fondin prej 10%, domethënë për këto projekte qeveria ka përdorur dhe do të përdorë gjatë këtij viti vetëm 12 milionë dollarë. Zakonisht në projekte të mëdha ndiqet praktika që ato financohen më shumë se një vit, për aq kohë sa është e nevojshme të përfundojnë punimet. Në projektet që kanë nisur këtë vit, asnjëri nuk është i tillë që kërkon financim për gjatë dy apo më shumë buxheteve rresht. Përjashtim bën vetëm rruga Belsh-Kuçovë, e cila është e gjatë më shumë se 30 kilometra dhe që e ka të pamundur të financohet dhe të përfundojë brenda një viti. Projektet që janë duke u hapur të reja gjatë këtyre muajve kanë të bëjnë kryesisht me kërkesat që vijnë nga fushata zgjedhore. Vendi ynë e ka patur një problem të njohur financimin e punëve publike në kohë zgjedhjesh dhe mund të thuhet se këtë vit shkalla e kësaj dukurie është e njëjtë. Dhjetëra financime rrugësh rurale, urash, ujësjellësish etj., që sapo kanë nisur dhe për të cilat qeveria ka paratë vetëm për nisjen e punimeve sigurisht që janë çelur për shkak të kërkesave të zgjedhjeve. Nuk është e sigurt asfare se kur këto projektet do të mbyllen, pasi ato rrezikojnë që edhe në buxhetin që vjen të mos financohen të gjitha.