Investimet në rrugë, i vetmi slogan që i ka mbetur për fushatë qeverisë “Berisha”
Ervin Koçi
Këtë vit elektoral, qeveria është e angazhuar që të luajë me të vetmen “armë” që i ka mbetur për të bërë fushatë: investimet në rrugë. Janë mbi 2/3 e buxhetit të shtetit për këtë vit që janë parashikuar të realizohen në pjesën e parë të vitit. Sasia më e madhe e parave do të jepet për investimet në rrugët e ndryshme. Por edhe pse për një pjesë të madhe të këtyre rrugëve ka disa vite që ka nisur puna dhe duhet të kishin përfunduar që vitin e kaluar, përsëri shikohet se me gjithë afatet e shkelura qeveria ka programuar të tjera para për t’ua akorduar firmave që po punojnë në këto akse kombëtare dhe rurale të vendit. Nga të dhënat zyrtare të marra prej Ministrisë së Financave dhe MPPTT-së, për këtë vit qeveria shqiptare do të shpenzojë mbi 1 miliard lekë vetëm për sistemim-asfaltimin e rrugëve në të gjithë vendin. "Do të jetë një fond prej më shumë se 1 miliard lekësh nga financimi i brendshëm që është parashikuar për një numër të konsiderueshëm projektesh me shtrirje në të gjithë vendin. Paratë do të akordohen për sistemim-asfaltim dhe riveshje, qëllimi i të cilave është të përmirësojnë gjendjen teknike të rrjetit rrugor kombëtar", - bëjnë të ditur për gazetën “Albania” ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Duke nisur nga rruga më e “famshme” Durrës-Kukës, për të vijuar me superstradën Tiranë-Durrës, si dhe akse të tjera kombëtare dhe rurale të përfunduara ose jo, janë përfshirë në listën e re të investimeve për vitin 2009. Me një urdhër të posaçëm të kryeministrit Berisha, të gjitha firmat, por dhe komunat ose bashkitë ku kalojnë këto akse, duhet të paraqitin projektet dhe të përfundojnë investimet dhe mbi 90 për qind të volumit të punëve deri para muajit qershor 2009.
Kërkesa e kryeministrit
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar përfundimin e të gjitha procedurave të prokurimit publik brenda 6-mujorit të parë të vitit 2009, periudhë që përkon me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kërkesa e kryeministrit lidhet më së shumti me sistemin e ri të kryerjes së tenderëve, i cili që nga janari 2009 kalon përmes internetit. Sipas ligjit të ri për prokurimin publik, të gjithë tenderët duhet të realizohen përmes sistemit “online”. Nga ky vendim nuk përjashtohen as komunat dhe bashkitë, të cilat kanë mangësi stafi dhe eksperience për zbatimin e rregullave të reja. Tashmë që fushata elektorale faktikisht ka nisur, qeveria është duke marrë masat e nevojshme për realizimin sa më të shpejtë të planit të investimeve. Por megjithëse realizimi i punëve publike zakonisht ndodh në pjesën e dytë të vitit, për shkak se pushteti vendor ka probleme me miratimin e buxhetit, përshpejtimi i afateve duket se ka lidhje me fushatën zgjedhore.
Riparimi i rrugëve
Një sasi të konsiderueshme parash këtë vit nga fondi që do të jepet nga buxheti i shtetit për rrugët duket se do ta gllabërojë riparimi i akseve të sapopërfunduara. Edhe pse kanë qenë brenda një garancie që përcaktohej në kontratat e lidhura nga shteti me firmat e ndërtimit, përsëri një pjesë e madhe e rrugëve të reja në të gjithë vendin janë dëmtuar rishtazi, gjë që ka treguar për një cilësi të keqe punimesh. Vetëm për përmirësimin e gjendjes së superstradës Tiranë-Durrës, nga buxheti i shtetit do të investohen këtë vit rreth 30 milionë lekë. Sipas MPPTT-së, “në buxhetin e shtetit janë parashikuar rreth 30 milionë lekë, të cilat do të shpenzohen në kuadër të përmirësimit të gjendjes së kësaj superstrade”. Punimet për ndërtimin e superstradës Tiranë-Durrës përfunduan në qershorin e vitit 2001. Kjo superstradë filloi të ndërtohet në vitin 1993 dhe ka një gjatësi prej 29 km. Kostoja e plotë e ndërtimit të superstradës me gjerësi 20 metra është rreth 40 milionë euro dhe është financuar nga disa donatorë të huaj dhe nga buxheti i shtetit. Ndërtimi i autostradës është bërë fillimisht nga firma "Euroteorema", ku janë shtruar rreth 5 km me një kosto rreth 6 milionë euro. Pjesa tjetër e rrugës deri në Vorë është ndërtuar me financim të buxhetit të shtetit nga firma shqiptare "Albavia". Segmenti Vorë-Sukth, 12,9 km i gjatë, u ndërtua nga firma "Italstrade" me një financim prej 15 milionë eurosh. Segmenti i fundit, Sukth-Ura e Dajlanit (Durrës), rreth 9 km i gjatë, është ndërtuar nga firma "Ruskala" me një financim prej 15,35 milionë euro.
19 Janar 2009