E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet publike rriten me 4.3 për qind, shkurtimet vetëm në administratë dhe tek projektet e panisura

Ministri i Financave Bode, prezanton në komisionin e ekonomisë projektligjin për shkurtimet në buxhet

Investimet publike që kanë filluar për këtë vit nuk do të shkurtohen por do të rriten, ndërkohë që do të vazhdohet normalisht me investimet prioritare. Kështu u shpreh kreu i Financave Ridvan Bode, gjatë diskutimit të projektligjit për shkurtimet e buxhetit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
“Investimet publike që janë planifikuar nuk do të shkurtohen, por do të rriten me 4,3 miliardë lekë për këtë vit. Shkurtimet do të kryhen kryesisht në administratë dhe në projektet e pa nisura”, u shpreh ministri Bode.
Ai deklaroi se janë marrë parasysh të gjitha këshillat e FMN-së për reduktimin e deficitit buxhetor dhe borxhit. Ai siguroi gjithashtu vazhdimësinë e financimeve të huaja që kapin vlerën e 1,8 miliardë euro për vitet në vazhdim.
“FMN ka kërkuar uljen e deficitit buxhetor në 3,5 për qind ndërkohë që ne e kemi çuar ne 3,1 për qind po ashtu edhe të borxhit publik që brenda vitit 2013 do të jetë 54 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Investimet e mëdha do të ecin me ritme të larta, ku janë firmosur kontrata me vlerë 1,8 miliardë euro për vitet në vazhdim”, vuri në dukje kreu i financave.
Nga ana tjetër, opozita ka akuzuar qeverinë duke e quajtur performancën e saj ekonomike të ulët dhe se projektligji për shkurtimet në buxhet është më shumë optimist se sa realist.
Deputetja socialiste Mimi Kodheli, tha se “çdo ndërhyrje në buxhet, tregon performancën e ulët të qeverisë dhe ul ekonominë”.
Projektligji për shkurtimet në buxhet do të vazhdojë diskutimin gjatë javës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe më pas do të miratohet në Parlament.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›