Komisioni i ligjeve, mazhoranca rrëzon Vexhi Muçmatën, kandidatin për Gjykatën e Lartë
Rrëzohet kandidatura e 3-të e presidentit të Republikës për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Seanca e radhës e komisionit parlamentar të ligjeve ka nisur dje me propozimin e relacionit të deputetëve të mazhorancës për kandidatin Vexhi Muçmata.
Ligjvënësit demokratë vlerësuan kandidatin Muçmata si të pabesueshëm dhe ish punonjës i strukturave represive të regjimit diktatorial. Propozimi u bë nga deputeti demokrat, Viktor Gumi, gjatë shqyrtimit të relacionit për kandidatin në fjalë. Deputeti Gumi ka deklaruar se Muçmata është i pabesueshëm për t’u bërë anëtar i Gjykatës së Lartë. “Kandidati ka shërbyer në strukturat represive të regjimit të vjetër komunist, në rolin e hetuesit dhe ka qenë drejt për drejtë i përfshirë në hetimin e veprave penale me natyrë politike. Besimi te ky kandidat ne integritetin moral dhe profesional vlerësoj se është i mangët dhe ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin e komisionit dhe më pas të Kuvendit për detyrën madhore të Gjykatësit të Lartë”- u shpreh deputeti Gumi. Gjatë javës që kaloi, Muçmata i pyetur nga deputetët e PD-së deklaroi se kishte qënë anëtar i Partisë së Punës dhe se nuk mbante mend të kishte marrë ndonjë vendim për arsye politike para viteve 1990. Qëndrim ky i dyshimtë dhe që hidhte dritë mbi veprimtarinë e tij në të shkuarën. Pas rrëzimit të Sokol çomos një javë më parë, Muçmata është kandidati i dytë që rrëzohet në sajë të kritereve të Kuvendit.