“Edi Rama të shohë rrugët dhe trafikun”

Ministria e Mbrojtjes publikon listën me pronat që nxirren në shitje
Një listë prej 517 pronash të paluajtshme të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat nuk janë në përdorim i janë dërguar prej muajsh Ministrisë së Ekonomisë për të vazhduar me procedurat e privatizimit nga ana e qytetarëve të interesuar dhe ish-pronarëve. Lajmi u bë i ditur dje nga Ministri i Mbrojtjes, i cili tha se është gati një listë tjetër prej 135 pronash, ndërsa 70 të tjera janë në proces verifikimi për të hyrë në treg. Imami vuri në dukje se asnjë prej pronave nuk po shkon në drejtim të paditur, por të gjitha janë të destinuara drejt tregut.
“çdo gjë është transparente në faqen tonë zyrtare. Kemi bërë më të mirën duke i hedhur këto prona, të cilat nuk janë në përdorim nga ana jonë në treg. çdo gjë është transparente në faqen tonë zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes”- u shpreh ministri i Mbrojtjes.
Lidhur me ankesat e kreut të Partisë Socialiste për mungesë transparence mbi pronat e kësaj ministrie, Imami u shpreh se grupi i Partisë Socialiste është i mirëpritur të shprehë ankesat e tij, por gjithashtu, Rama bën mirë të sqarojë drejtimin e planit urbanistik të Tiranës, problemet e infrastrukturës dhe kaosin e trafikut.
“është një fakt i njohur që Partia Socialiste është në drejtim të paditur por kjo nuk është çështja ime. çështja ime ndoshta do të ishte që si deputet i qytetit të Tiranës do të doja të dija se në ç’drejtim është plani urbanistik i Tiranës, ku po shkon trafiku i Tiranës, ku ndodhet KRRT-ja e Tiranës, çështje që na preokupojnë të gjithëve. Në fakt nuk mund të thuhet që pronat po shkojnë në drejtim të paditur. Pronat po shkojnë në treg. Në sistemin tonë pronat nuk mund të shkojnë në asnjë destinacion tjetër përveç tregut dhe kjo është gjëja më e mirë që bëjmë. Në fakt, duke bërë një kritikë, të mbështetur në batutat që bëjnë politikanët, koha e të cilëve ka mbaruar prej 15 vjetësh në Shqipëri, është një shembull i keq për t’u marrë sot. Ajo që mund të them unë është që kryetari i Bashkisë do bënte mirë të merrej me çështjet komunale, me çështjet e pastrimit, gjelbërimit, kanalizimeve, ndonjë lyerje poshtë e lartë dhe mandej në qoftë se ka hapësirë dhe në qoftë se ka kapacitete, Partia Socialiste, nëpërmjet Grupit të saj parlamentar, le t’i paraqesë kërkesat e saj. Unë si ministër jam i detyruar të sqaroj parlamentin, jam i detyruar të sqaroj publikun e gjerë”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes qytetarët e interesuar luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces privatizimi duke ndihmuar në të njëjtën kohë dhe Ministrinë në heqjen e barrave fiskale mbi pronat, të cilat nuk janë në përdorim nga Forcat e Armatosura.