Investimi, 1 miliard euro për parkun energjetik në Lezhë
Fabiola Çela
Gati 1 miliard euro do të investohen për ndërtimin e një parku energjetik në Lezhë. Kreu i qeverisë, Berisha, ka nënshkruar dje marrëveshjen për ndërti-min e këtij parku. Ndërtimi i tij do të realizohet nga grupi italian "Marseglia", i mirënjohur në sektorin energjetik, agro-industrial, turistik-imobiliar, financiar, si dhe të projektimit e ndërtimit.
Projekti
Projekti "Poli energjetik rajoni Lezhë" parashikon ndërtimin e një centrali me biomasa të lëngshme në komunën e Shëngjinit, me fuqi prej 140 MW dhe ndërtimin e 2 parqeve me erë me fuqi prej 234 MW të vendosura në komunën e Balldrenit. Projekti kompletohet me ndërlidhjen e rrjeteve AAT të Italisë dhe Shqipërisë, nëpërmjet kabllove nëndetare, stacionit të konvertimit DC/AC dhe stacioneve përkatëse AAT, të vendosura në komunën Kallmet/Kolsh. Investimi në total do të kalojë shifrën 1 miliard euro. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha u shpreh se përbën në hap të madh në përpjekjen e Shqipërisë për t'u shndërruar në një vend tërheqës për investimet e huaja dhe një ngjarje të madhe në marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Italisë dhe Shqipërisë. Të njëjtin mendim ka ndarë edhe ambasadori italian në Tiranë, D'Elia, sipas të cilit përmes projekteve, theksoi ai, nuk forcohen vetëm marrëdhëniet mes dy vendeve, por në radhë të parë kontribuohet në forcimin e ekonomisë shqiptare, në ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Ndërkohë, sipas Kryeministrit, ky projekt përqendrohet në Lezhë dhe ky rreth, gjeografikisht ndër më të vegjlit në Shqipëri, në harkun 2-mujor ka firmosur kontrata që arrijnë vlerën 1.5 miliardë euro. Gjatë takimit të djeshëm Berisha nuk la pa përmendur edhe krizën globale që ka përfshirë shumë vende, ku sipas të cilit në Shqipëri po vazhdojnë të vijnë investitorë të huaj, pavarësisht kësaj krize. "Kjo, besoj se është përgjigjja më e shkëlqyer antikrizë", u shpreh Kryeministri. Ndërkohë administratori delegat i Grupit të "Marseglia"-s, Giuseppe la Grotta, theksoi se politika e rritjes së investimeve të ndjekur nga Kryeministri dhe qeveria shqiptare ka qenë një politikë e urtë, përmes një sistemi lehtësues fiskal dhe thjeshtëzimit të proceseve administrative. Ai siguroi se investime të mëdha të tilla si investimi i grupit "Marseglia" dhe investime të tjera që po nisin në Shqipëri, do të kontribuojnë edhe më tepër në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, nëpërmjet shpenzimeve që do të kryejnë gjatë ndërtimit të këtyre veprave dhe nga të ardhurat fiskale, pasi këto projekte të fillojnë të funksionojnë.
Projekti
1 miliard euro investime
Një central me fuqi prej 140 MW
Dy parqe me erë me fuqi prej 234 MW
Ndërlidhje e rrjeteve AAT të Italisë dhe Shqipërisë