Nis aksioni për mbylljen e lojërave të fatit të paligjshme
Ka nisur dje aksioni për mbylljen e lojërave të fatit që operojnë në mënyrë të jashtëligjshme. Pak ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri "Për Lojërat e Fatit", Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, ka nisur një aksion për konfiskimin e mjeteve elektronike të përdorura për aktivitet të paligjshëm nga subjektet. Drejtori i Njësisë se Mbikëqyrjes se Lojërave të Fatit, Shkëlqim Hoxha, tha se po veprohet me tolerancë zero ndaj kujtdo personi apo subjekti që nuk paguan taksat dhe vepron në kundërshtim me ligjin. Përpara nisjes së operacionit të konfiskimit dhe bllokimit, në një hark kohor prej 7 muajsh, njësia kishte evidentuar subjektet që ushtrojnë veprimtari të paligjshme, në mënyrë që operacioni të jetë i shpejtë dhe rezultativ. Sipas Hoxhës, ndërhyrja e Njësisë së drejtuar prej tij do të shtrihet së shpejti në të gjithë vendin.