E Diel, 1 Nëntor 2026

“Investimi i kursimeve në bono thesari, interes nga qytetarët”

13-01-2013 / Gazeta 55

Flet Nezir Haldedaj, Zëvendësministër i Financave

Investimi i kursimeve në bono thesari shihet me interes nga qytetarët, pasi fitimi merret sapo depoziton paratë. Zëvendësministri i Financave, Nezir Haldedaj në një prononcim për mediat qartëson se ky lloj investimi është me risk zero. Sipas tij 13 për qind e stokut të borxhit i përket individëve. 
“Kjo pritshmëri është shumë aktive në treg dhe ne shohim që edhe në ankandet e fundit ishte konsistent, me të njëjtat proporcione, po themi, të vitit të kaluar. Për krahasueshmëri, ne kemi mbi 13 për qind të stokut të borxhit të brendshëm që është në duart e individëve. Nuk kemi ndjerë ndonjë presion në interesa dhe kjo si të thuash akomodon dhe një lloj mundësie për ata kursimtarë, për ata investitorë të vegjël që duan të maksimizojnë paratë e tyre në një investim me risk zero”, thotë Haldedaj. Zëvendësministri ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se ankandet e fundit janë përdorur nga qeveria, për të marrë hua për të paguar rrogat e administratës. 
“Kjo nuk është aspak e vërtetë. Së pari, sepse ankandet janë të paktën 2-3 apo ndonjëherë edhe 4 herë në muaj. Pra, është një kalendar që është konsistent, është i publikuar, është njoftuar tregu, është thjesht një kalendar. Së dyti, konçidenca me festën e Vitit të Ri, me festat e tjera, festën e gushtit...tregu vazhdon operon normalisht”, thekson ai.
Në fillim të këtij viti qeveria arriti të mbledhë përmes dy ankandeve te zhvilluara nga Banka e Shqipërisë 27.4 miliardë lekë borxh.
Shitja e bonove të thesarit u zhvillua me maturim 12 mujor me interes 6.6 për qind dhe 6 mujor interes 6.08 për qind.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›