Patozi: PD, e vetmja alternativë për ëndrrën europiane

Vlorë, përkujtohet 22-vjetori i themelimit të degës së PD
Në qytetin e Vlorës u përkujtua 22 vjetori i krijimit të degës së Partisë Demokratike për këtë rreth. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm ish- themelues të kësaj dege, anëtarë, simpatizantë, përfaqësues të partive aleate etj. Ishin gjithashtu të pranishëm edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj force politike, Astrit Patozi, deputetë të Qarkut të Vlorës etj.
Zoti Patozi, tha se sillte përshëndetjet e kryesisë dhe të kryetarit të Partisë Demokratike e Kryeministrit, Sali Berisha.
Sipas tij, tashmë është formuar një traditë për të përkujtuar çdo vit përvjetorët e Partisë dhe të degëve të saj nëpër rrethe, e cila do të pasurohet dhe do të forcohet më mirë në të ardhmen.
Në këtë mënyrë, nënvizoi Patozi, “ne respektojmë historinë e PD dhe historia e PD është historia e të vërtetës dhe e vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri”. Ai vlerësoi të gjitha figurat që kanë punuar me përkushtim e devotshmëri për Partinë Demokratike dhe rrugëtimin e saj të gjatë politik, ndërkohë që vuri në dukje aspiratat e kësaj force politike për të qenë e vetmja alternativë, e cila garanton realizimin e ëndrrës evropiane të shqiptarëve, e vetmja forcë politike e cila ka demonstruar përkushtim ndaj qytetarit.
Patozi shprehu bindje për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit dhe mandatin e tretë qeverisës të kësaj mazhorance, ndërkohë që evidentoi se “koalicioni i djathtë do të jetë koalicioni më i madh qeverisës, sepse ai do të jetë koalicioni i qytetarit”.
Kryetari degës së PD-së për Vlorën, Ardian Kollozi, e konsideroi 22 vjetorin një moment të rëndësishëm. Ai foli rreth rrugëtimit të Partisë Demokratike për rrethin e Vlorës dhe kontributin e çmuar në forcimin dhe konsolidimin e standardeve të demokracisë në shkallë vendi.
Afrim Jupi, një nga themeluesit dhe kryetari i parë i degës së Partisë Demokratike të Vlorës, solli për të pranishmit mes emocionesh, vështirësitë e themelimit të kësaj force politike, e cila në 22 vjet të rrugës së saj është bërë më e fortë, më e madhe dhe “pa diskutim, forca promotore e ndryshimeve të mëdha rrënjësore e pozitive të Shqipërisë”.