“Investimi në tunelin e Elbasanit, investim i drejtpërdrejtë për qytetarët”

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, tur takimesh në komunat Polis, Qendër dhe Bradashesh
Kryetari i Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit Arben Imami zhvilloi një sërë takimesh në kuadër të turit për të komunikuar hapur me banorët dhe për tu njohur më nga afër me problematikat e komunës së Librazhdit si Polis dhe komuna Qendër.
Imami sqaroi për banorët e Komunës Polis se duket qartë fitorja e Partisë Demokratike pasi, investimi në tunelin e Elbasanit është një investim i drejtpërdrejt për ju, tha ai. “Në 40 minuta ju mund të arrini qendrën e Tiranës, ku për çdo lloj shërbimi siç janë spitalet apo edhe shkollat do t’i gjeni më afër. Por, sigurisht që kjo gjë s’do të ndihmojë vetëm për këtë, ajo do të ndihmojë shumë edhe për bujqësinë. Ne i kemi kushtuar shumë rëndësi infrastrukturës, cilësoi Imami. Për mandatin e ardhshëm ka ngelur shumë pak për të bërë në këtë drejtim, sepse në tetë vjet kemi bërë shumë më tepër se kaq. Rruga ka vajtur në Funarë, në Zavali, ka filluar rruga që do të çojë deri në Peshkopi etj. Pra, këto që kanë ngelur janë pak në krahasim me atë që është bërë. Prandaj vijoi Imami, ne nuk gënjejmë në këtë fushatë kur themi se do t’i bëjmë të gjitha. Pjesa e infrastrukturës që ka ngelur do të realizohet e gjitha në mandatin tjetër dhe ky është një premtim. Janë bërë 10 mijë km rrugë, kanë mbetur edhe 3 mijë, janë bërë 800 ujësjellës, kanë ngelur shumë më pak, janë bërë 1300 shkolla, kanë ngelur edhe 300-400 shkolla, brenda 2 viteve të para të këtij mandati, pjesa dërrmuese e investimeve në infrastrukturë do të ketë përfunduar”, theksoi Imami.
Në Komunën Qendër Imami theksoi se ishte i bindur se rruga e kësaj komune do të ishte e para që do fillonte të ndërtohej në Qarkun e Elbasanit vitin që vjen. Ky është një premtim, tha ai. “Ju jeni njerëz që punoni dhe ne jemi këtu për të ndihmuar ata që punojnë. Tetë vite më parë qarku i Elbasanit nuk kishte asnjë km rrugë, ndaj kur ju them se rruga e Dragostunjës vitin që vjen do të jetë e para, e them me bindje sepse tashmë na kanë mbetur shumë pak. Ne po shkojmë drejt një fitore përfundoi Imami, sepse kemi punuar, jemi përpjekur, kemi zgjidhur shumë probleme, ndaj po të mendoheni mirë, më shumë siguri dhe qëndrueshmëri për familjet, për vendin jep Sali Berisha dhe qeveria e partisë demokratike. 42 mijë familje shqiptare kanë përfituar dhe ne në 4 vjeçarin e ardhshëm do të dyfishojmë subvencionet për pemëtari, arrore dhe blegtori”, shtoi ministri i Mbrojtjes.
Ndërkohë më herët ministri i Mbrojtjes Imami zhvilloi edhe një takim mjaft entuziast me Forumin Rinor të Partisë Demokratike në komunën e Bradasheshit nga ku i urojë dhe suksese votuesve që votonin për herë të parë dhe mirëseardhjen anëtarëve të rinj të FRPD-së. “Mirë se keni ardhur në partinë demokratike! PD-ja është partia juaj pasi dhe vetë historiku i kësaj partie i përket të Rinjve. Partinë Demokratike e kanë themeluar djem edhe vajza si ju, për të marrë të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, e drejtë e cila ishte e mohuar nga diktatura. Djem të rinj, si, Azem Hajdari, Arben Broci, janë emblema e këtij revolucioni të madh demokratik e politik të dhjetorit 1990. Ata edhe ju keni një gjë të përbashkët, dashurinë për lirinë, për vendin si dhe dashurinë që ky vend të bëhet një vend i zhvilluar dhe që të gjithë ne të ndihemi qytetarë të Europës”.
Ndër të tjera Imami cilësoi se pavarësisht se Partia Socialiste ka penguar punën në vazhdimësi të kësaj qeverie, përsëri PD ka arritur të bëjë shumë punë. “Kjo është arsyeja pse ju kërkohet juve të jeni aktiv, të jeni qytetarë të një vendi e si rrjedhojë të merrni pjesë në çështjet publike të tij, ato politike etj”, tha ai.
I Pyetur sesi shpjegohet që Sali Berisha ka më shumë mbështetje nga të rinjtë se Edi Rama?, Imami theksoi se, “është vetëm çështje idesh, e jo çështje moshe. Idetë e Sali Berishës dhe të Partisë Demokratike janë ide të reja, të fuqishme, ide të cilat të përfshijnë emocionalisht dhe intelektualisht që t’i bashkohesh. Si mund të mos bashkohesh me idenë e rrugës së re Elbasan-Tiranë apo me projektin e kaskadës së Devollit që është vetëm 30 km në vijë ajrore nga këtu ku jemi ne në Bradashesh, apo me projektin inovator siç është TAP-i. Mendoni që në vitin 2005 këto çështje as nuk diskutoheshin. Ndaj ne duhet të ecim përpara sepse ju jeni ndryshimi. Të ecim përpara së bashku në 23 qershor me një fitore të madhe të Partisë Demokratike. Gjithashtu të rinjtë e ri të anëtarësuar shpjeguan dhe arsyet se pse shohin një vizion tek e ardhmja, ndër to foli dhe një shtetase italiane që e vizitonte Shqipërinë pas 10 vitesh dhe shihte një ndryshim rrënjësorë gjatë qeverisë Berisha, përfundoi ministri i Mbrojtjes Arben Imami.