“Nuk do të reshtim në këmbënguljen tonë për miratimin e 3 ligjeve të Integrimit”
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani
“Partia Demokratike do ti kalojë tre ligjet që kërkohen për marrjen e statusit kandidat dhe do të arrijë integrimin europian të vendit, pavarësisht qëndrimeve të Kryetarit të PS-së Edi Rama, dhe kjo do të ndodhë me votën e opozitës, ose me votën e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
Bogdani theksoi se “përkushtimi ynë për integrimin europian është i palëkundshëm, ndërkohë që Edi Rama shpik arsye të reja nga dita në ditë kundër integrimit. Sot (dje) keni parë gazetat opozitare të kontrolluara nga Edi Rama, duke mbështetur alibinë e fundit të shpikur nga ai, sipas së cilës z. Berisha ka urdhëruar deputetët e PD-së për të mos votuar tre ligjet që Rama i ka bllokuar që nga tetori i vitit të kaluar deri më sot”, theksoi Bogdani.
Sipas tij, “me deklaratën e sotme (djeshme) në mediat e tij, Rama beson se qytetarët shqiptarë vuajnë nga mungesa kolektive e memories. Ai beson se shqiptarët nuk e dinë apo e kanë harruar se 3 ligjet e kërkuara për statusin e kandidatit qëndrojnë të bllokuara nga Edi Rama që nga tetori i vitit të kaluar deri sot. Nën moton ‘ç’më duhet mua se çfarë them unë’, ai përpiqet tu thotë shqiptarëve se nuk është ai që ka bllokuar deri sot ligjet, por për mosvotimin e tyre, fajin si gjithnjë e ka Berisha”, vijoi Bogdani.
Sipas tij, “asnjë njeri nuk ka punuar më shumë se Kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike për integrimin europian”.
Ndaj Bogdani siguroi se, “nuk do të rreshtim në këmbënguljen tonë derisa këto tre ligje të kalojnë me votim në parlament apo referendum popullor pas zgjedhjeve. Në 178 ditët e fundit, në çdo seancë parlamentare, zotit Rama i është kërkuar që të votojë këto tre ligje dhe ai i ka refuzuar. Për me tepër, ne kemi parë një seri alibish dhe shpikjesh për të bllokuar me çdo kusht ëndrrën europiane të shqiptarëve, një ëndërr europiane që do të krijonte me qindra milionë euro investime dhe mijëra vende pune. Është më e qartë se kurrë që bllokimi i z. Rama ka të bëjë me moralin e bllokmenit dhe është tërësisht i bazuar në strategjinë e tij elektorale”, theksoi Bogdani.
Ai theksoi se, “Rama në mënyrë cinike dhe të vetëdijshme e vonoi statusin kandidat për BE-në deri në momentin që ky hap nuk mund të bëhet para zgjedhjeve, pasi siç deklaroi Brukseli tani nuk mund të bëhet raporti për Shqipërinë. Vendimi i tij për të votuar ligjet shëmbëllen me larjen e duarve të Pons Pilatit pas krimit”, theksoi Rama.