Investitorët braktisin ndërtimin për HEC-et
Koncesionet hidroenergjetike të dhëna së fundmi nga shteti shqiptar kanë orientuar drejt sektorit të energjisë një numër të konsiderueshëm kompanish ndërtuese shqiptare, lidhje që pritet të shtohet edhe në vitet e ardhshme me zhvillimin e mëtejshëm që do të marrë veçanërisht sektori i burimeve të rinovueshme të energjisë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, orientimi i kompanive drejt këtij sektori është më se i natyrshëm me situatën e favorshme financiare që kanë krijuar rregullimet e fundit ligjore në këtë kuadër.
Në fund të vitit të kaluar u miratua kontrata standarde e detyrueshme e blerjes së energjisë. Në bazë të saj, shteti shqiptar i garanton koncesionarit blerjen për 15 vjet me radhë të energjisë me çmimin mesatar të importit plus 10%. Ligji aplikohet për hidrocentralet me kapacitet më të vogël se 15 megavat. “Por po të shohim, me kapacitet më të vogël se 15 megavat janë pjesa më e madhe e HEC-eve ekzistentë, rreth 90% e tyre. Kjo skemë ka bërë që të gjithë koncesionarët të kenë të garantuar shitjen e energjisë”, thotë Taulant Musabelliu, drejtor i AKBN-së.
Nga të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore mësohet se thuajse e gjithë gama e këtyre HEC-eve me kapacitet nën 15 megavat u janë dhënë me koncesion shoqërive shqiptare. Kjo për shkak të shkallës modeste të investimeve që nevojiten për projekte të tilla. Vlera totale e koncesioneve është 1.94 miliardë euro. Musabelliu shpjegon se 5 megavat i korrespondojnë mesatarisht një investimi prej 5 milionë eurosh. Sipas standardeve botërore, vlera mesatare e prodhimit të 1 megavat energjie kërkon përafërsisht 1 milion euro investim. Diçka e tillë ka bërë që investimet në HEC-et me vlera 2-3-4 milionë euro janë bërë nga kompani shqiptare. “Përgjithësisht janë kompani ndërtimi, të cilat e kanë parë si një rast të mirë për të përdorur pajisjet dhe aktivet e veta. Kanë makineritë, strukturat, projektuesit, zbatuesit - dhe nuk kanë treg ndërtimi. Thuajse 80% e kompanive koncesionare të hidrocentraleve janë kompani ndërtimi”, vëren drejtori i Agjencisë së Burimeve Natyrore.
Për presidentin e kompanisë “Korsel”, Maksim Fejzulla, firmë që operon në sektorin e ndërtimit, energjetikës e pastrimit të qyteteve – sot për sot hidro-energjetika është një prej sektorëve me norma më të larta fitimi. “Shitjet e garantuara për 15 vitet e para na bëjnë të shpresojmë se brenda pesë vitesh do mund të shlyejmë tërë investimin”, thotë Fejzulla. Firma “Korsel” ka marrë në shfrytëzim edhe dy hidrocentrale të tjerë, Leskoviku 1 dhe Leskoviku 2, të ndërtuar që në kohën e komunizmit. “Shumë shpejt, që të dy do t’i nënshtrohen ristrukturimit të plotë, gjë që do të shoqërohet edhe me rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese”, thotë Maksim Fejzulla.
“Presim që të shlyejmë të gjithë vlerën e investimit në hapësirën kohore 5 deri në 7 vite”, thotë Feti Tërvoli, ekzekutiv i HEC-it të Tërvolit, i cili ka nisur punën që prej shkurtit të këtij viti. Ekzekutivi tregon se punimet u kryen brenda dy vitesh, duke respektuar caqet kohore të kontratës me qeverinë, si dhe caqet e parashikuara financiare. “Sigurisht që garantimi i shitjes me çmim tregu për 15 vitet e para na ofron një avantazh të konsiderueshëm financiar. Ky është një prej motiveve kryesore që shumë kompani e shohin si treg tepër interesant”, thotë Tërvoli. Por ka edhe një element tjetër që i bën shoqëritë ta shohin me shumë interes: kreditimi nga ana e bankave. “Shoh disa ndërtues që i kanë kthyer sytë drejt energjetikës, jo vetëm falë lidhjeve organike që ka me sektorin tonë, por pasi po shihet me interes edhe nga bankat, që po e konsiderojnë si potencial kreditimi”, thotë Hajredin Fratari, president i firmës ndërtuese “Fratari Constructions”. Sipas Fratarit, kompanitë e ndërtimit mund t’i përshtasin shumë lehtë kapacitetet ndërtuese në këtë sektor, falë peshës që zë ndërtimi në këto lloj veprash.
Hidrocentralet e mëdhenj
Aktualisht janë në shfrytëzim 7 hidrocentrale të mëdhenj dhe 38 hidrocentrale të vegjël.
Në lumin Drin janë në funksionim 3 hidrocentrale, me kapacitet total të instaluar 1350 MW: HEC-i Vau i Dejës, HEC-i Fierza, HEC-i Koman. Aktualisht, është nënshkruar kontrata koncesionare ndërmjet METE-s dhe kompanisë austriake “Österreichische Elektrizitatsëirtschafts Ktiengesellschaft”, për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, mbi lumin Drin, me kapacitet të instaluar 48,2 MW dhe është në fazën e fillimit të punimeve.
Në lumin Mat janë në shfrytëzim HEC-et Ulëz dhe Shkopet, me kapacitet total të instaluar 49 MW. Në lumin Devoll, para vitit 1990, ka filluar ndërtimi i hidrocentralit të Banjës, me kapacitet të projektuar 60 MW. Aty janë kryer vetëm 40% e punimeve dhe më pas ato janë ndërprerë. Aktualisht, është nënshkruar kontrata koncesionare për
ndërtimin e kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Devoll, ndërmjet METE-s dhe kompanisë austriake EVN AG, ku parashikohen 3 (tre) hidrocentrale Lozhan-Grabovë, Skënderbegas-Çekin dhe ai i Banjës, me fuqi të instaluar totale 319 MW. Në lumin Vjosa, është duke u ndërtuar hidrocentrali i Kalivaçit, me kapacitet të instaluar deri në 90 MW. “Tashmë jemi duke përfunduar gërmimet dhe kemi ndërmend të respektojmë caqet kohore të përcaktuara në kontratë. Kontrata është 35-vjeçare dhe energjia e prodhuar do të përdoret një pjesë në tregun e brendshëm, një pjesë në të jashtmin”, thotë Stavri Peci, drejtor i hidrocentralit të Kalivaçit. Në lumin e Bistricës janë në funksion hidrocentralet Bistrica I dhe Bistrica II, me kapacitet të instaluar 27,5 MW.
Situata energjetike
Sipas të dhënave të INSTAT, burimet e energjisë elektrike në vitin 2009 u rritën 8.9 për qind, krahasuar me vitin 2008. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 7,194 GWh. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit ndjeshëm me 35.8 për qind, krahasuar me vitin 2008. Sasia totale e prodhuar është 5,230 GWh dhe përbën 72.7 për qind të burimeve gjithsej të energjisë.
Në vitin 2009, burimi i vetëm i prodhimit të energjisë elektrike ishte prodhimi në hidrocentrale. Rritja e konsiderueshme në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-eve, me 35.7 për qind krahasuar me vitin 2008, ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e prodhimit total të energjisë. Rritje të ndjeshme pati dhe prodhimi i energjisë nga impiantet private e me koncension me 44.1 për qind krahasuar me vitin 2008, e cila përbën 1.7 për qind të prodhimit në vend. Sipas Musabelliut të AKBN-së, përfundimi i projekteve të koncesioneve do të ndryshojë rrënjësisht situatën e furnizimit me energji elektrike në Shqipëri. Janë gati dy drafte shumë të rëndësishme në këtë kuadër: Ligji për energjinë e rinovueshme dhe ligji për eficiencën e energjisë. Është duke u formuluar strategjia kombëtare e energjisë, e cila do të përcaktojë qartë se ku do të shkojë sektori shqiptar i energjisë, në ç’pikë do të mbërrijë konsumi, sa do jetë prodhimi kur të përfundojnë të gjitha këto projekte, sa do jetë eksporti. Është e vërtetë që Shqipëria do të eksportojë, thotë Musabelliu: “Me vënien në punë të 30% të koncesioneve të licencuara, Shqipëria do të përmbushë nevojat e saj, bashkë me humbjet. Çdo sasi tjetër e prodhuar do të eksportohet”.
Orientimi drejt hidrocentraleve të vegjël
Në Shqipëri numërohen 70 HEC-e të vegjël, me kapacitete nga 20 KW deri në 9200 KW. Nga këto, vetëm 38 janë në gjendje pune, pjesa tjetër janë jashtë funksionit. Pjesa më e madhe e makinerive dhe pajisjeve të hidrocentraleve të vegjël janë prodhime austriake, gjermane, kineze, hungareze, italiane. Disa pjesë janë prodhuar në Shqipëri. Turbinat janë të tipit Frencis, Pelton dhe Banki. Tipi i gjeneratorëve është Sincron me voltazh të ulët. Mosha mesatare e këtyre hidrocentraleve është rreth 25 vjet. Nga tërësia e HEC-ve të vegjël rezultojnë: 32 HEC-e me kontratë koncesionare, me fuqi të instaluar 24,4 MW; 16 HEC-e janë të privatizuar, me fuqi të instaluar 2,047 MW; 22 HEC-e janë shtetërorë, me fuqi të instaluar 11,0 MW.
Qëllimi i ndërtimit të këtyre hidrocentraleve ka qenë furnizimi me energji elektrike i zonave të thella malore. Këto hidrocentrale janë të tipit me derivacion dhe shfrytëzojnë burimet dhe rrjedhjet ujore pranë këtyre zonave. “Shteti shqiptar, gjatë këtyre viteve, ka ndjekur politikën e ndërtimit dhe shfrytëzimit të hidrocentraleve të vogla”, shpjegon Musabelliu. Së pari, pasi investimet e nevojshme janë më të vogla e për rrjedhojë, më të mundshme. Së dyti pasi duke vepruar kështu i shpërndajnë përfitimet që sjellin investimet në shumë zona. “Pra, 104 kontrata koncesionare që kemi miratuar deri tani, i vijnë shumë më tepër në ndihmë popullsisë se 20 kontrata”, thotë Musabelliu. Nga 104 kontrata, 57 kontrata janë me kapacitet prodhues më pak se 5 megavat. 21 kontrata janë më pak se 10 por më shumë se 5 megavat. 22 kontrata janë nga 10 deri në 50 megavat. Është vetëm një kontratë 50-100 mega, dy kontrata nga 100-150 megavat dhe 1 kontratë më shumë se 150 megavat.
19 Gusht 2010