Kosova drejt identitetit të vet
Në kafenenë e tij moderne, në Prishtinë, pronari Petrit Selimi dëshiron që bota ta kuptojë se kosovarët janë larg stereotipit të atij bujkut nga fshati, me kallashnikov në dorë. Sipërmarrësi i ri dhe ish-aktivist i të rinjve, thekson se Kosova është e re, moderne dhe liberale. “Një herë në dy ditë, këtu këndon “Snoop Dogg”; të drejtat e grave dhe të homoseksualëve janë në agjendën politike. A e dini se në Prishtinë njerëzit për çdo ditë pinë nga 20 milionë makiato?”, - pyet Petriti.
Njëmbëdhjetë vjet pas fushatës ajrore të NATO-s, e cila i detyroi forcat serbe të largohen, Kosova po e zbulon identitetin e vet. Deklarata e Pavarësisë e vitit 2008 është njohur nga 69 shtete, përfshirë SHBA-të dhe shumicën e BE-së. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia “nuk është e jashtëligjshme” i dha një shtysë tjetër shtetit të ri, por, pavarësia e Kosovës nuk është ende e njohur nga një numër vendesh të fuqishme, të cilat druajnë për precedentin që do të sjellë reaksion zinxhir.
Kështu, Kosova mbetet jashtë shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Nuk e ka as kodin telefonik të vetin, por, megjithatë, për shumë kosovarë, shtetësia nuk vihet në dyshim.
Një tregues i besimit të kosovarëve te pavarësia është marrëdhënia e tyre me Shqipërinë fqinje, me të cilën shumica e ndajnë gjuhën dhe identitetin etnik. Bashkimi me Shqipërinë ishte temë e përbashkët për ata që i luftonin serbët një dekadë më parë, por tani partitë politike që angazhohen për bashkim kanë marrë vetëm 2 për qind të votave.
Sigurisht, kosovarët janë të lumtur që kanë lidhje të mira me Shqipërinë, pasi blloku i Lindjes i la të dy vendet të izoluar për 50 vjet. Autostrada e re bëri që 1.3 milionë njerëz ta kalojnë kufirin gjatë qershorit, që është shumë për popullsinë dy milionëshe të Kosovës sot.
Në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë vazhdon të shitet flamuri kuq e zi, me shqiponjën dykrerëshe. Por, gjithashtu, ka mjaft suvenire me flamurin e ri të Kosovës, të frymëzuar nga standardet e BE-së.
Një diplomat vëren se flamuri i ri ka filluar të shfaqet edhe në dasma, ku më herët valonte kryesisht flamuri shqiptar, bashkë me atë amerikan, në shenjë nderimi të Uashingtonit për mbështetjen e Kosovës.
“Kosova po i kap gjërat”, - thotë Selimi. “Kur Snoop Dogg performoi këtë verë, ai parakaloi me flamurin e Kosovës, dhe mund t’i ndjenit emocionet në publik. Bashkimi nuk është më në agjendë. Kosovarët po punojnë për të ardhmen e tyre të pavarur”, - thotë ai.
Shteti po ndërtohet, por korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet e shoqërisë, thotë EULEX-i. Zyrtarë të lartë të Qeverisë, së fundmi, janë vënë nën dyshime. Krimi i organizuar dhe pastrimi i parave gjithashtu përbëjnë shqetësim të madh.
Ekonomia legale rritet, por ngadalë. Vendi varet mjaft nga importi dhe remitancat. Shumë sipërmarrës janë skeptikë për mjedisin e biznesit. “Gara është e egër”, - thotë Agim Dushi, pronar i fabrikës së prodhimit të ujit të pijshëm “Bonita”.
Ai thotë se 25 kompani të ngjashme të ujit janë ngritur, shpesh herë, pa hyrë në filtrin e kontrollit të cilësisë. “Duhet të përshtatemi, nëse duam të mbijetojmë”, - thotë ai.
Mungesa e energjisë elektrike, gjithashtu i pengon bizneset, megjithëse kanë filluar përmirësime në sistemin e përfitimit të energjisë nga thëngjilli dhe uji.
Problem kryesor për zbatimin e ligjit mbetet statusi i enklavës serbe në veri të vendit, ku popullata e sheh Beogradin si qeveri legjitime. Kufiri i saj me Serbinë nuk patrullohet, duke i lënë dyert hapura për trafikantët.
Zbatimi i ligjit gjithashtu është i vështirë, sepse policia në veri nuk u raporton drejtpërdrejt autoriteteve në Prishtinë. “Veriu po bëhet gjithnjë e më shumë çështje e rendit dhe ligjit”, - thotë komisionari i policisë, Behar Selimi. Ai sheh përparim në bashkëpunimin me autoritetet lokale në veri, por e përshkruan situatën si kaotike.
Momenti më i rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës do të jenë marrëdhëniet e saj me Beogradin. Pasi dështoi në rrugën për bindjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të hedhur poshtë Pavarësinë e Kosovës, Beogradi mund të bëhet më i hapur.
Përderisa njohja nuk është në tavolinë, ai tani flet për zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët për të gjitha çështjet e hapura.
“Situata aktuale nuk është në interesin e askujt”, - është shprehur sekretari shtetëror për Kosovën në Beograd. Prishtina dhe Beogradi shpresojnë t’i bashkëngjiten BE-së. Kjo mund të nxisë bashkëpunim më të madh dhe të krijojë kokëçarje për shumë trafikantë.
Marrë nga radio “Europa e lirë”. Titulli është redaksional
19 Gusht 2010