E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investitorët gjermanë, ja sektorët e preferuar në Shqipëri

Investitorët gjermanë shfaqin interes për të investuar në ekonominë shqiptare. Gjatë forumit të biznesit Shqipëri-Gjermani, 20 investitorë nga sektorët e energjetikës, ndërtimit, industrisë agroushqimore, industrisë me fason etj. u njohën me potencialet e Shqipërisë për zhvillimin e biznesit. Kryetari i bordit drejtues të Reiffeisen Bank Shqipëri, Alexander Zsolnai, ftoi bizneset që të investojnë, pasi rritja ekonomike në Shqipëri për 5 vitet e ardhshme pritet të jetë më e lartë se rritja në vendet e Eurozonës. “Shqipëria është një vend i nënvlerësuar nga ekonomia gjermane, por ajo ofron shumë mundësi. Gjatë periudhës së krizës financiare vendi përjetoi rritje ekonomike, e cila do të zgjasë edhe për 5 vitet e ardhshme, sipas analizave që janë kryer për Europën Juglindore. Shqipëria nuk është prekur nga kriza në Greqi, madje emigrantë të shumtë janë kthyer në atdhe dhe kanë investuar. Ju inkurajoj që të rrisni investimet tuaja në këtë vend që ofron klimë shumë të mirë për biznesin. Rroga minimale është 140 euro dhe tatimi mbi fitimin është 10%”, deklaroi Alexander Zsolnai. Eksportet shqiptare drejt Gjermanisë janë dyfishuar gjatë tre viteve të fundit. Zërin kryesor në këto eksporte e zënë produktet e industrisë me fason dhe ato agroushqimore. Presidenti i shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare, Hans-Jurgen Muller, tha se prodhuesit shqiptarë duhet të plotësojnë standardet e BE-së që të mund të konkurrojnë në tregun gjerman.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›