Universitetet, mbi 2 mijë vende bosh për Formularin A3
Universitetet mbyllin regjistrimet e fazës së dytë, ndërkohë që mbi 2 mijë kuota do të jenë në garë për raundin e dytë të pranimeve.Vendet e mbetura bosh nga faza e dytë e regjistrimeve do të kalojnë për raundin e dytë të pranimeve, ku aplikimi do të bëhet nëpërmjet Formularit A3. Në Universitetin e Tiranës kanë mbetur në total 178 kuota të paplotësuara, pjesa më e madhe e të cilave i përkasin Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe atij të Shkencave të Natyrës, si dhe filialit të tij në Sarandë. Ndërsa për degët më të preferuara të këtij Universiteti, pranimet janë drejt mbylljes, pasi kanë ngelur nga 2 deri në 10 vende të lira, për të cilat duhet të pritet vendimi i Ministrisë së Arsimit, nëse ato do të jenë pjesë e Formularit A3. Më konkretisht, vendet bosh në Universitetin e Tiranës, sipas fakulteteve janë: Ekonomiku 16, Filologjiku 8, Gjuhët e Huaja 53, Shkencat Sociale 10, Juridiku 2, Mjekësia 3, Infermieria 8, Shkencat e Natyrës 33, Filiali Kukës 8, Filiali Sarandë 37. Ndërkohë që edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës kanë rezultuar përsëri kuota të paplotësuara pas fazës së regjistrimeve përfundimtare. Në fakultetet e këtij universiteti në total janë 224 vende të lira, ndërsa në atë të Arteve dhe Sporteve nuk ka më kuota vakante. Tashmë, pritet që Ministria e Arsimit të zbardhë shpërndarjen e vendeve bosh për të gjitha universitetet e vendit, ndërkohë që MASH ka bërë të ditur se janë 1354 vende të tjera bosh, që nuk janë përzgjedhur nga maturantët gjatë plotësimit të Formularit A2. Këto kuota, sipas MASH, mund të jenë kontingjent për Formularin A3, që do të plotësohet nga maturantët pas regjistrimit përfundimtar të fituesve.
Maturantët që nuk kanë fituar ende një vend në universitetet publike do të kenë sërish një shans të fundit për të aplikuar. Autoritetet e arsimit thonë se do të ketë tri kategori përfituesish nga Formulari A3, i cili pritet të publikohet në ditët në vijim, pasi ekspertët janë drejt përfundimit të formulimit të tij. “Janë ata që nuk kanë fituar në asnjërën prej fazave të Formularit A2. Janë ata që janë shpallur fitues në fazën e parë, janë regjistruar për të vazhduar garën dhe janë ngjitur në preferencë, kanë ndryshuar preferencën dhe nuk kanë shkuar të regjistrohen, dhe kategoria e tretë është kategoria e mbetësve”, - pohon drejtori i Pranimeve në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, Arben Fagu. Por, në Formularin A3 janë parashikuar të ketë më pak programe studimi për t’u përzgjedhur. Kështu, në të nuk do të jenë të përfshira degët më shumë të preferuar, si: Drejtësia, Ekonomiku, Shkencat sociale, Letërsia, Gazetaria etj., por do të jenë vetëm ato programe të cilat renditen të fundit në preferencat e maturantëve. “Do përjashtohen të gjitha programet që quhen elitare, si: Teknologji informacioni, Stomatologji, Mjekësi e përgjithshme, të gjitha ato që preferohen shumë dhe që pikët e fituesve të fundit këtu janë mbi 5 500- 5 600”, - shpjegon Fagu. Një vit më parë, me Formularin A3 aplikuan 4 623 kandidatë nga 11 126 të mundshëm, pra vetëm 40% e tyre. Kjo tregon mungesën e interesit të këtyre kandidatëve për të vazhduar garën me Formularin A3. Në dispozicion të këtyre kandidatëve u vendosën 2 440 kuota, që ishin shpërndarë kryesisht nëpër universitetet e rretheve. Në këtë fazë pati 1 959 fitues, nga të cilët u regjistruan 1 274, pra nuk u regjistruan 685 fitues (35%). Përveç kësaj, nga 2 440 kuota në 122 programe studimi të Formularit A3, 479 kuota (19%) nuk u kërkuan fare nga kandidatët. Siç shihet, nga 2 440 kuota gjithsej vetëm 1 274 u shfrytëzuan nga kandidatët/maturantë, pra pothuajse sa gjysma e numrit të kuotave (52%) .
Vendet bosh
Universiteti i Tiranës 178
Fakulteti i Ekonomisë 16
Fakulteti i Histori-Filologjisë 8
Fakulteti i Shkencave Sociale 10
Fakulteti i Mjekësisë 3
Fakulteti i Infermierisë 8
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja 53
Fakulteti i Shkencave të Natyrës 33
Fakulteti i Drejtësisë 2
Filiali Kukës 8
Filiali Sarandë 37
Universiteti Bujqësor 224
Fakulteti i Ekonomisë 14
Fakulteti i Bujqësisë 100
Drejtim Fermash 50
Filiali i Lushnjës 60
Kuota të pa kërkuara në Formularin A2 1354
Raundi i dytë, si do bëhet rishpërndarja e tretë e kuotave
Këtë vit nuk do të ketë shpërndarje vendesh të pa plotësuara nga një fakultet në tjetrin
Vendet që do të ngelen bosh pas fazës së dytë të regjistrimeve në universitete, nuk do të plotësohen më me spostim liste, por do të “hidhen” në rikonkurrim nëpërmjet Formularit A3. Pas mbylljes së procesit të regjistrimit të fazës së dytë të fituesve, specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) sqarojnë se do të ketë dhe një rishpërndarje të tretë të kuotave, pasi përfundojnë testimet ata që kanë pasur provime vjeshte, të cilëve nuk do t’u mohohet e drejta e studimeve të larta, por do t’u jepet shansi që këtë vit për t’u kualifikuar ose jo si fitues. Kështu, me mbylljen e regjistrimit përfundimtar, në datën 30 shtator, universitetet do të dorëzojnë në MASH listat përfundimtare me regjistrimet e kryera për çdo program studimi. Pas kësaj date, universitetet do të raportojnë në MASH edhe vendet e mbetura bosh nga faza e regjistrimit përfundimtar. Me marrjen e këtyre të dhënave, MASH do të bëjë publikimin e vendeve të paplotësuara në universitete, për të cilat maturantët jofitues do të aplikojnë nëpërmjet Formularit A3. Ndryshe nga raundi i parë, në raundin e dytë të pranimeve në universitete, kandidatët do të konkurrojnë për të fituar shkollën e lartë vetëm për vendet e mbetura bosh që do të shpallen nga MASH, e cila ka përcaktuar se shpërndarja e kuotave do të realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit A3, sipas preferencave të kandidatëve. Ndërkohë që këtë vit, ndryshe nga ato të kaluarat nuk do të ketë shpërndarje kuotash nga një fakultet në tjetrin. Formulari A3 që do të përdoret për raundin e dytë të pranimeve në universitete, ku kandidatët do të konkurrojnë për të fituar shkollën e lartë vetëm për vendet e mbetura bosh nga raundi i parë, do të mund të plotësohet edhe nga maturantët që kanë rezultuar mbetës në provimet e Maturës. Por, kushti kryesor që këta maturantë të plotësojnë këtë formular, do të jetë marrja e provimeve ku ata kanë ngelur, gjatë sezonit të vjeshtës, në të kundërt, nuk do ta kenë këtë mundësi. Sipas specialistëve të arsimit parauniversitar në MASH, grupet që do të përfitojnë nga kjo mundësi janë të gjithë maturantët që kanë mbetur në provimet e detyruara, apo në lëndët me zgjedhje, ata që për shumë arsye nuk e kanë dhënë një apo më shumë provime, si dhe maturantët neglizhentë që nuk kanë plotësuar Formularin A1. Po ashtu, këtë vit Formularin A3 do të kenë të drejtë ta plotësojnë jo vetëm maturantët që nuk janë shpallur fitues gjatë raundit të parë, por edhe mbetësit që marrin provimet në vjeshtë, sikurse edhe maturantët që e kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit. Ky është një tjetër shans që u jepet këtyre të rinjve për të vijuar studimet e larta në universitetet publike.
Formulari A3, 10 preferenca për kuotat e lira
Në Formularin A3 do të renditen të gjitha degët e universiteteve që kanë ende vende të lira dhe përkrah secilës prej tyre do të shënohen dhe kuotat përkatëse. Ndërkohë që edhe në këtë formular, maturantët do të kenë mundësi të përzgjedhin 10 preferenca të ndryshme studimi. Në këtë mënyrë, secili prej kandidatëve ka të drejtë që në bazë të pikëve të grumbulluara gjatë fazave të mëparshme të përzgjedh atë program studimi ku shanset e tij për të fituar janë më të mëdha. Më konkretisht, këshillohet që maturantët ta bëjnë përzgjedhjen e degëve në Formularin A3, sipas pikëve të grumbulluara dhe kuotave që ka në dispozicion çdo program studimi. Ky formular do të përmbajë të gjitha kuotat e përcaktuara nga MASH-i, për secilin program studimi të ciklit të parë dhe do të mundësojë orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit. Formulari A3 do të shpërndahet në të gjitha drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore, ku mund të tërhiqet nga kandidatët, të plotësohet dhe të dorëzohet i plotësuar në institucionin në të cilin është marrë.