E Diel, 1 Nëntor 2026

Investitori italian: Ortaku shqiptar më dhunoi

KONFLIKTI/ Salvadore Mishelo nga Leçe akuzoi bashkëpunëtorin e tij nga Berati se e kishte përplasur pas murit pas një debati

BERAT- Një mosmarrëveshje mes dy bashkëpronarëve të një firme italo-shqiptare ka çuar në dhunimin e investitorit Italian. Të paktën kjo është ajo çka pretendohet nga 68-vjeçari Salvadore Mishelo, i cili ka pranuar të bëjë denoncim në media, por i është shmangur denoncimit në polici. Dhuna e ushtruar ndaj italianit u bë e ditur pas dërgimit në spital të 68-vjeçarit, ku mjekët konstatuan se ai kishte pësuar dy fraktura në trup, si dhe hematoma në kokë.

Rrëfimi

Sipas 68-vjeçarit, dhunimi i tij u bë në ambientet e firmës së përbashkët, në të cilën ai investon që prej vitit 1994. Italiani u shpreh se prej 14 vjetësh investonte në qytetin e Beratit dhe pas kësaj kohe dëshironte t’i ktheheshin paratë. Por ortaku i tij është nxehur duke i bërtitur. “Ai u nxeh duke më thënë budalla. Më pas më kapi prej rrobash, më përplasi në tavolinë. Më kapi prej flokësh dhe më përplasi dhe në mur. Në një moment munda t’i shpëtoj nga duart. Mora çelësat e makinës dhe u largova për në spital, se nuk isha mirë. Por në një moment ndalova dhe më pas nuk ndjeva gjë”, tregoi 68-vjeçari nga Leçe. Ai tha se të njëjtin biznes e kishte ngritur edhe në Vlorë, por me bashkëpunëtorin tjetër nuk i kishte këto probleme. “Çdo ditë e më shumë ndihem i kërcënuar”,- tha italiani, duke akuzuar për kërcënime ortakun e tij shqiptar.

Policia

Megjithatë, pavarësisht denoncimit të bërë në media, 68-vjeçari Salvadore Mishelo nuk pranoi që të kryente një denoncim përpara uniformave blu. Ndërsa ndodhej në spital i rrethuar nga policët, italiani deklaroi se nuk ishte në gjendje që të kryente një denoncim në ato momente, pasi nuk ndihej mirë. Si rrjedhojë, pas shoqërimit në komisariat të Afrim Merkos, policia vendosi ta linte atë të lirë, por duke vazhduar hetimin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›