Korçë, takim në varreza përmes e-mailit
Një person lë takim me të rinjtë të tjerë, duke i ftuar ata që t’i bashkohen djallit dhe të tregojnë sprovat e tyre
KORÇË – Interneti është gjetur si mënyra më e shpejtë për të realizuar qëllimet e për të përhapur fjalët. Por teknologjia më e fundit shkaktoi dje panik mes banorëve të qytetit të Korçës. Një shtetas, që dyshohet të jetë moshë e re, dhe që pretendonte se i përkiste një sekti të Djallit, dërgoi një e-mail ku ftonte të rinjtë për t’iu bashkuar në një nga parcelat e varrezave të qytetit juglindor në mesnatë. Në e-mail, dërguesi, i cili e përcakton si emër të sektit “Shën Triadha”, kërkon nga të gjithë ata “që kanë shok fetar djallin, të bashkoheshin tek varrezat.
E-maili
Gjatë së mërkurës në adresat e të rinjve korçarë u shpërnda një e-mail ku njoftohej për një takim në mesnatë, me njerëzit e djallit, pikërisht në varrezat publike të qytetit. Madje, njoftimi shoqërohej dhe me një foto të frikshme, teksa “predikuesit e djallit” ftonin të gjithë të interesuarit t’i bashkoheshin këtij sekti. E-maili mbërriti në dhjetëra adresash të të rinjve të këtij qytetit duke përhapur frikë dhe panik. Në postën elektronike jepej edhe një adresë, si dhe një numër telefoni.
Hetimet
Për këtë situatë të paprecedent ka marrë sinjale dhe policia e Korçës, e cila pritet të nisë një hetim të posaçëm por dhe të vëzhgojë varrezat publike të qytetit gjatë orëve të vona të natës, aty ku dyshohet se janë kryer dhe herë të tjera takime sekrete të njerëzve që përqafojnë këto lloj sektesh. Megjithatë, mbetet ende për të vërtetuar, nëse e-maili i dërguar ka qenë i vërtetë apo thjesht një lojë adoleshentësh për të tërhequr vëmendjen dhe për të parë se kush është i prirur për t’u besuar gjithçkaje që dërgohet në internet.
Interneti
Futja e internetit në vend, në një kohë të shkurtër ka bërë që të rinjtë ta konsiderojnë pjesë të rëndësishme të jetës, madje duke marrë një sasi të madhe të orëve të tyre të ditës.