Lazaratasi fyen e godet policin rrugor
GJIROKASTËR- Fyen dhe godet punonjësin e qarkullimit rrugor, ndalohet nga policia. Ngjarja u regjistrua paraditen e së mërkurës në shëtitoren e lagjes “18 shtatori” në qytetin e Gjirokastrës dhe mësohet se shkak për të është bërë parkimi në vendin e gabuar i një automjeti. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Gjirokastrës, në pranga u vendos 24-vjeçari Florian Shurdhi, banor i fshatit Lazarat. Sipas bluve, një punonjës i qarkullimit rrugor, gjatë kryerjes së detyrës së tij, konstatoi një mjet të parkuar paralel. Rrugori komunikoi me drejtuesin e automjetit me targa GJ 92 80 A dhe i kërkoi të lëvizte automjetin, pasi ishte në kundravajtje. Drejtuesi i mjetit nuk kundërshtoi, por ka zbatuar urdhrin e policit. Ndërkohë, shtetasi Florian Shurdhi, i cili ishte pasagjer në këtë mjet, ulur në sediljen e parë, pa pasur asnjë lidhje me kundravajtjen e mjetit, fyeu dhe më pas goditi me grushta në fytyrë policin e qarkullimit, duke i shkaktuar plagë të lehta. Mësohet se është dashur ndërhyrja e grupit të gatshëm që 24-vjeçari të shoqërohej forcërisht për në ambientet e komisariatit të policisë së Gjirokastrës. Tashmë atij do t’i duhet të përballet me dy akuza: “fyerje dhe goditje për shkak të detyrës së punonjësit të policisë”, si dhe “kundërshtim me dhunë i forcave të policisë”. Nga ana tjetër, policia e Gjirokastrës deklaroi zyrtarisht se nuk do të tolerohej asnjë veprim që bie ndesh me ligjin. “Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, por dhe nga ngjarje të tilla të ndodhuramë parë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bën me dije komunitetin se nuk do të tolerohet askush që do të shkelë ligjin apo do të tentojë t’iu kundërvihet forcave të policisë”, thuhet në deklaratën zyrtare për shtyp në lidhje me këtë ngjarje.