E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet drejtoresha, nuk pranon të dorëzojë zyrën

TROPOJË/ Drejtuesit e gjimnazit të Bajram Currit u shkarkuan nga Zyra Arsimore pas disa ngjarjeve të ndodhura

TROPOJË - Zyra Arsimore në Tropojë shkarkoi drejtuesit e gjimnazit “Asim Vokshi” të qytetit të Bajram Currit. U shkarkua drejtoresha e shkollës, Zyra Berisha, dhe dy zëvendëset e saj. Por Berisha nuk ka pranuar të dorëzojë zyrën dhe vulën e shkollës, duke pretenduar se shkarkimi i saj është i padrejtë. Burime të Zyrës Arsimore në Tropojë bëjnë të ditur se shkarkimi i drejtuesve të gjimnazit të Bajram Currit erdhi pas disa problemeve që ka kaluar gjimnazi i këtij qyteti sezonin e kaluar, ku disa herë është dashur ndërhyrja e policisë për të vendosur normalitetin në këtë shkollë. Në krye të gjimnazit është emëruar Zenel Çela, ish-nënkryetar i qarkut të Kukësit. Çela konsiderohet si “dorë e fortë” dhe është ngarkuar me këtë detyrë për të vendosur rregull e disiplinë në gjimnazin e qytetit verilindor. Përgjegjësi i Zyrës Arsimore në Tropojë, Agim Demushi, pranoi se ish-drejtoresha, Zyra Berisha, nuk e ka dorëzuar ende zyrën, por nuk pranoi të japë sqarime të mëtejshme, duke u mjaftuar me faktin se drejtori i ri i emëruar është në krye të detyrës. Në periudhën janar-shkurt të këtij viti, në gjimnazin e qytetit të Bajram Currit janë shënuar disa incidente, ku është dashur edhe ndërhyrja e policisë për të normalizuar situatën. Incidentet në këtë shkollë kanë qenë të shoqëruara me shpërthime fishekzjarresh dhe shashkash që shkaktoninzhurma të mëdha në klasa dhe bangat e shkollës. Ndërkohë që policia ka hedhur dyshimet asokohe se këto veprime janë reagime të konsumatorëve të drogës dhe personave të implikuar me trafikantët, pas arrestimit të tyre në janar të këtij viti. Faktin e shpërthimeve të fishkezjarreve dhe shashkave në shkollë e kishtepranuar edhe policia vendore. Sipas policisë, nxënës të gjimnazit “Asim Vokshi” në mesin e tyre edhe vajza, fusin në shkollë mjete shpërthyese, si fishekzjare dhe shashka të fuqishme, duke i fshehur ato edhe në trup. Policia shprehu dyshimet se rreth 60-70 persona djem e vajza të gjimnazit janë përdorues të rregullt të marijuanës. Sasinë e hashashit nxënësit e gjimnazit të Bajram Currit e konsumojnë kryesisht nëpër klubet e natës së Kosovës, të cilat i frekuentojnë rregullisht, por edhe në baret në afërsi të gjimnazit “Asim Vokshi”. Tre vitet e fundit, Tropoja është identifikuar si zonë e kultivimit të bimës narkotike “kanabis sativa”. Bima narkotike është kultivuar kryesisht në zonën ethellë të Lekbibajve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›