Kuka: Ardhja e Presidentit shkeli procedurat
LIBRAZHD- Vendimi i gjykatës së Elbasanit për dënimin me gjobë dhe detyrim paraqitjeje për ish-kryebashkiakun e Librazhdit është apeluar nga ky i fundit, i cili e ka vlerësuar vendimin si të padrejtë. Shaqir Kuka u dënua pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit verifikoi shkeljen e procedurave të tenderimit për ndërtimin e bazamentit për monumentin e poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi dy vjet më parë. Nga kontrolli rezultoi se fillimisht ishin kryer punimet e më pas ishte bërë tenderimi. Burime nga mbrojtja e Kukës thanë se është e vërtetë që procedurat ishin shkelur, por një gjë e tillë nuk ishte bërë për përfitime personale, por për faktin se nga ana e Presidencës u vendos një datë përurimi pa marrë pëlqimin e bashkisë. Ish-kryebashkiaku, i dënuar me 3 milionë lekë gjobë dhe 1.5 vjet detyrim për paraqitje për shkelje të procedurave të tenderimit, e apeloi vendimin dhe pret se çfarë do të vendosë për këtë çështje. Memoriali i dy poetëve të ekzekutuar nga komunizmi u përurua në vitin 2006 me pjesëmarrjen e ish-presidentit të atëhershëm Alfred Moisiu dhe ministrit të Kulturës, Bujar Leskaj. Dy skulpturat e realizuara në Tiranë u vendosën mbi një piedestal mermeri me ujë ku shkruheshin edhe fjalët e poezive të dy poetëve, për të cilat u dënuan dhe më pas u pushkatuan në vitin 1979.