E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata politike, PS-ja raport ndërkombëtarëve

PS-ja shtron darkë pune për ambasadorët e akredituar në Tiranë. U paraqitet një raport mbi situatën në vend

TIRANË - Situata politike dhe skandalet e herëpashershme të qeverisë, ka detyruar Partinë Socialiste të mbledhë në një darkë pune të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë. Në këtë tryezë, që është zhvilluar në një prej lokaleve të kryeqytetit, ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Withers. Siç mësohet nga burime pranë selisë rozë, darka e djeshme ka shërbyer për të njohur të gjithë trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, në lidhje me shqetësimet e Partisë Socialiste, për një sërë çështjesh, të cilat janë kthyer në shqetësim, jo vetëm për opozitën, por edhe për gjithë opinionin publik, duke filluar që nga skandali i rrugës Rrëshen-Kalimash dhe përpjekjet e qeverisë për të penguar hetimin, e deri tek skandalet më të fundit, siç është ai i trafikut të armëve, skandali “Fazlliç”, tragjedia e Butrintit etj. Shqetësimet janë paraqitur në formën e shkruar, të organizuara në formën e një raporti të përmbledhur prej 18 faqesh, i cili u është vënë në dispozicion të gjithë ambasadorëve. Kështu, pjesë e raportit, përveç çështjeve të mësipërme, është bërë edhe konstatimi i socialistëve për një qeverisje të keqe të demokratëve, e cila sipas socialistëve ka sjellë efekte negative në jetën e shqiptarëve. Gjithashtu, në të ngrihet dhe problemi i përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të dominuar institucionet e tjera të pavarura. Raporti evidenton problemin e shfaqur më së fundi në konfliktin midis qeverisë dhe organit të akuzës për çështjen e hetimit të aktivitetit të sekserit serbo-boshnjak, Damir Fazlliçit në Shqipëri. Në këtë drejtim, në këtë material, ngrihet dhe shqetësimi për ecurinë e reformave ligjore. Sipas këtij raporti, mazhoranca qeverisëse, është përpjekur që ta kanalizojë vullnetin pozitiv të shprehur nga socialistët për realizimin e reformave të mëdha, në favor të interesave të saj. Kështu, një nga çështjet më shqetësuese, sipas PS-së, mbeten projektligjet e hartuara për organet e sistemit të drejtësisë, siç është ai për prokurorinë, ai për administratën gjyqësore, apo edhe ai për avokatët. Të gjithë këto draft-ligje, sipas selisë rozë, tentojnë që të fuqizojnë rolin e ekzekutivit ndaj organeve që, me Kushtetutë, duhet të jenë të pavarura, siç është rasti i prokurorisë, gjykatave etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›