E Diel, 1 Nëntor 2026

“Investoni në Shqipërinë me lehtësitë më të mëdha”

31/07/2009  Kryeministri Sali Berisha pret deputetë të Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut

Koreanojugorët shprehin interesin për bashkëpunimin ekonomik

Kryeministri Sali Berisha ka ftuar bizneset koreano-jugore të investojnë në vendin tonë, pasi Shqipëria siguron lehtësirat maksimale për to. Kreu i qeverisë ka bërë këtë ftesë në takimin e veçantë që pati me një delegacion parlamentar të Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut, të kryesuar nga Han Sak Song. Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve dhe u shprehu parlamentarëve koreano-jugor dëshirën dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar dhe intensifikuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, në veçanti në fushën ekonomike, tregtare dhe investimeve reciproke. Shefi i ekzekutivit, sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, gjatë këtij takimi njohu parlamentarët koreano-jugorë me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime të favorshme për biznesin dhe investimet në vend. Ai ka vënë theksin në reformat e mëdha dhe të rëndësishme fiskale, të cilat mundësojnë lehtësira të mëdha bizneseve të huaja për të investuar në Shqipëri. “Shqipëria është vendi me taksat më të ulëta në Evropë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë falënderoi qeverinë koreane për mbështetjen që ka dhënë, në veçanti në projektin e ristrukturimit të rrjetit elektrik në vend, në bursat studentore për kualifikimin e studentëve shqiptarë, etj. Berisha i siguroi parlamentarët se të gjitha investimet koreano-jugore do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare. Nga ana e tij, kreu i delegacionit koreanojugor vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe vullnetin e Koresë së Jugut për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare.

Interesimi

Parlamentarët koreanojugor kanë vlerësuar me shumë interes fushat si ajo e prodhimit të energjisë elektrike, turizmi, industria minerale dhe garantuan se qeveria e tyre do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë edhe në fazën e dytë të projektit të ristrukturimit të rrjetit elektrik, si dhe do të nxisë investitorët të konsiderojnë Shqipërinë si destinacionin e tyre për biznes. Në Shqipëri Samsung, Korea Elektrik, etj., që kanë shprehur interes për të investuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›