E Diel, 1 Nëntor 2026

Inzagi, "bomberi" që nuk njeh moshë

Edhe pse i ka arritur të 35-at, Filipo Inzagi nuk njeh moshë. Sulmuesi i Milanit vazhdon të shënojë me një mesatare mbresëlënëse dhe konfirmohet si një prej pikave më të forta të Milanit. Në sfidën e vlefshme për Kupën UEFA, kundër Portsmuthit, "bomberi" shënoi në sekondat e fundit, duke i dhënë kuqezinjve të Ançelotit barazimin 2-2. Pasi kontrolloi topin, gjuan në të djathtë të portierit Xhejms dhe e mposht për të dytën herë (disa minuta më parë kishte shënuar Ronaldinjo). Inzagi feston me të njëjtin entuziazëm si bënte kur luante me Paiçencën përpara 16 viteve.

Rekordi - Golin numër 65 në Evropë, ai e realizoi me shiritin e kapitenit në krah. Ndoshta kështu e donte fati, sepse përpara Inzagit, në "Fraton Park" shiriti ishte mbajtur nga Gatuzo dhe Kaka. Deri në minutën e 92-të të takimit, ishte i detyruar që ta ndante primatin me madrilenin Raul, që në mesjavë realizoi në Minks rrjetën numër 64 në arenën ndërkombëtare. Por Pipo është nga ata lojtarë që nuk dorëzohen lehtë, e që mbi të gjitha nuk i pëlqen t‘i ndajë rekordet me të tjerët. Sulmuesi nuk u dorëzua dhe në një fraksion sekonde, ashtu siç ka bërë edhe në ndeshjet e mëparshme, përshëndeti rrjetën.

Numrat - Me llogari të thjeshta, golat e realizuar nga Inzagi në arenën ndërkombëtare janë gjithsej 67, duke llogaritur edhe 2 golat në Botërorin e klubeve (FIFA Cup), që Milani e fitoi gjatë vitit të kaluar në Jokohama. Ai ka shënuar 46 gola në Champions, 9 në Kupën UEFA dhe 7 në Kupën Intertoto. Në Intertoto, me fanellën e Parmës, sulmuesi filloi edhe rrugën drejt rekordit, duke realizuar rrjetën e parë evropiane kundër skuadrës shqiptare, Teuta, më 28 shtator 1995 (pra diçka më shumë se 13 vjet më parë). Në dhjetor të vitit 2007, në ndeshjen kundër Sëlltik, Inzagi shënoi golin e 63-të në kupat evropiane, duke kaluar sulmuesin legjendar të Gjermanisë, Gerd Myler. Që prej sezonit 2001-‘02, kur u transferua te Milani, ai ka shënuar 104 gola në 226 ndeshje të luajtura.

Karriera - Pipo Inzagi është nga të paktët futbollistë që kanë përjetuar një karrierë të jashtëzakonshme. Edhe pse nuk ka teknikë të lartë, nuhatja përpara portës mund të mjaftojë që ai të përfshihet mes lojtarëve më të mirë në histori. Mjafton të kujtohen këtu disa fragmente të "udhëtimit" në sportin më popullor në botë: si golat në eliminatoret e Ligës së Kampioneve 2002/2003, trofe që më pas u fitua nga kuqezinjtë në finalen e Mançesterit. Gjatë atij edicioni, Inzagi shënoi golin vendimtar në çerekfinalen përballë Ajaksit, që Milani e fitoi 3-2 dhe u kualifikua. Kjo ishte trampolina drejt triumfit në finalen kundër Juventusit. Në vitin 2005, pësoi një dëmtim të gjatë, që e la jashtë finales së humbur në Stamboll, por edhe pse u duk se karriera e tij u mbyll aty, "gjahtari i golave" nuk u dorëzua. Ai arriti të fitonte një fanellë në kombëtaren italiane, që u shpall kampione e botës në vitin 2006, ndërsa në vitin 2007 fitoi Champions (dygolësh në finalen e Athinës) dhe Superkupën e Evropës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›