E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ipad, a do ta shpëtojë gazetarinë nga kriza?

Në industrinë e botimeve janë të shumtë ata që mendojnë dhe shpresojnë se “Ipad” nga “Apple” do t’i nxjerrë gazetat dhe revistat nga situata në të cilën ndodhen aktualisht. Por kjo ndjenjë euforie mund të mos zgjasë shumë. Kjo sepse janë po aq të shumtë edhe ata që kanë vënë në pikëpyetje rolin e “Ipad” për ardhmërinë e gazetarisë.

Mathias Dopfner është në humor. Gjatë fundjavës, kreu i njërës prej shtëpive botuese më të mëdha në Gjermani “Axel Springer” ka çuar të birin në një dyqan të “Apple” në qendër të Majamit dhe i ka bërë dhuratë një iPad. Madje, Dopfner ka shkuar edhe më tej në euforinë e tij për iPad. Ai u ka rekomanduar edhe botuesve të tjerë, kolegëve të tij në të gjithë botën që të ulen një herë në ditë për t’i kushtuar një luftë krijuesit të iPad, Steve Jobs, që me këtë gjetje arriti të shpëtonte industrinë e botimeve. Të paktën sipas Dopfner, “Ipad” ishte produkti që kompania e tij kishte kohë që priste. Në këto rrethana duket sikur është realizuar një profeci e vjetër sikur Steve Jobs është Mesia i mediave që pritej prej shekujsh. Këtë javë, “Ipad” do të dalë edhe në Europë dhe pritshmëria për këtë aparaturë të re është shumë e madhe. Para së gjithash pritet që lexuesit më në fund të paguajnë një çmim të arsyeshëm për gazetarinë që do të lexojnë në iPad. Por ndërkaq, e gjithë industria mediatike është në një pritje të shoqëruar me një dozë të madhe kujdesi. Edhe pse reklama dhe nami i “Ipad” është shumë i madh, përfaqësuesit e industrisë së botimeve preferojnë të jenë shumë të matur para se të thonë diçka pozitive. Për më tepër kur për ta bëhet fjalë për kohë shumë të vështira. Kjo për sa i përket versionit të “Ipad” që aktualisht po përgatitet nga shumë gazeta dhe revista për t’u lançuar menjëherë pas daljes në treg të prodhimit. Në fakt, ajo që presin të gjithë për të hyrë në lojë është siguria për maturinë dhe efektshmërinë e pajisjes. “Ipad” ka vetëm dy muaj që ka dalë në tregun e Shteteve të Bashkuara dhe ajo çka kanë kuptuar kompanitë që merren me botim në Shtetet e Bashkuara është fakti se ndryshe nga sa mendohej, nuk bëhet fjalë për një sukses të jashtëzakonshëm dhe revolucionarizues. Një ndër gazetat e para që aplikoi formatin e ri për “Ipad” ishte “The Wall Street Journal”, që u bombardua me kritika dhe komente negative. Në përgjithësi, lexuesit nuk e kanë shijuar versionin “Ipad” dhe kanë vazhduar të preferojnë lajmet pa pagesë të ofruara nga interneti. Një tjetër gjë është edhe mënyra konfuze e pagesës. Të abonohesh për të pasur variantin “Ipad” të gazetës së sipërpërmendur është shumë më shtrenjtë se të abonohesh në versionin me letër. Lexuesit nuk e kuptojnë se përse duhet një pagesë kaq e madhe. Megjithatë, numri i të abonuarve në “Ipad” në këtë gazetë është shumë i madh rreth 64 mijë abonentë, që sigurisht kanë dashur fillimisht të provojnë teknologjinë e re, por që gjithsesi është një numër shumë i vogël krahasuar me abonimet e gazetës në versionin letër që janë 2 milionë. Deri më tani gazetat amerikane që operojnë edhe përmes “Ipad” ofrojnë në këtë version të ri diçka më tepër dhe shtesë nga materiali i gazetës letër. Një problem jo i vogël është ai i revistave që nuk po arrijnë dot të japin në versionin “Ipad” gjithë shkëlqimin dhe shumëllojshmërinë e fotove që japin në versionin e shtypur. Një nga shkaqet e vonesës së vendosjes për nxjerrjen e versioneve “Ipad” në Europë dhe veçanërisht në Gjermani është edhe vështirësia për të bërë bashkë në mënyrë sa më homogjene dhe të balancuar gjithë komponentët që bëjnë një prodhim mediatik cilësor si artikujt, fotot, lojërat, efektet video. Edhe pse shumë entuziastë fillimisht nga dalja e këtij produkti të ri, shefat e biznesit të publikimit po e kuptojnë pak nga pak se nuk është edhe aq e lehtë që të arrish me “Ipad” të njëjtin efekt që është arritur me median e shkruar në kohët e saj më të mira. Ajo që të gjithë e kanë të qartë është futja e elementeve të reja, por çfarë elementesh? Sipas njërit prej figurave më të fuqishme mediatike në Gjermani, Lukas Kircher, është një gabim i madh të mendohet se i gjithë faji është i iPad, sepse në fakt ai që nuk është gati është produkti specifik gazetaresk për një format të tillë. “Ipad” është thjesht një “kanal tjetër transmetimi”, që nuk mund të marrë përsipër të metat e përmbajtjes. Sipas tij, lexuesit janë duke pritur nga gazetaria në “Ipad” një element që e kanë hasur shumë deri tani në lojërat kompjuterike: aftësinë për të ekzaminuar një ngjarje, për ta përjetuar gati si të ishte e vërtetë. Ajo që pritet për këtë format është një mënyrë e re e të treguarit të historive, ngjarjeve. Lexuesi pret që të “ndillet” shumë më tepër se në të shkuarën nga informacioni, por bëhet fjalë për një ndjellje inteligjente që jep informacion dhe mençuri njëherazi. Për këtë nuk duhet kërkuar në modelet e gazetarisë online të deritanishme, sepse bëhet fjalë për një tjetër gjë. Më shumë duhet kërkuar për modele dhe përngjasime në lojërat kompjuterike dhe programet e të mësuarit online që janë shumë më tërheqëse dhe më ndjellëse për lexuesit.
Disa nga përparësitë që ofron “Ipad” edhe si format janë vërtet shumë pozitive. Ai është në formën e një minikompjuteri që përbëhet në thelb nga një ekran që funksionon me prekje dhe asgjë tjetër. është një objekt që mund ta mbash pa problem në dorë dhe ta përdorësh ku të duash si të ishte një revistë, ndërkohë që të ofron të gjitha opsionet e një laptopi. është një mjet mjaft joshës, por pyetja që një pjesë e madhe e shefave të industrive botuese i bëjnë vetes është: për t’iu përshtatur formatit a mos vallë gazetaria duhet të shndërrohet në një videolojë vetëm e vetëm se “Ipad” të ofron opsione të shumta? Për momentin të gjithë e shohin si një mjet të mirë që do të ndihmojë shtypin e shkruar të dalë nga kriza ku është zhytur sot, por shumë shpejt situata mund të ndryshojë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›