Një fëmijë në moshën 40-vjeçare
Në Mbretërinë e Bashkuar është rritur numri i shtatzënive në moshë të madhe. Arsyeja? Për të favorizuar karrierën dhe punën.
Tani mosha ideale për të sjellë në jetë një fëmijë është ajo 40-vjeçare. Gjatë kësaj moshe gjithnjë e më shumë femra presin të bëhen nëna. Nënat moderne të ditëve të sotme e vonojnë momentin e shtatzënisë: në pjesën më të madhe të rasteve ato preferojnë më shumë të kenë mbaruar studimet dhe të kenë gjetur një punë stabël, pastaj vendosin të sjellin në jetë një fëmijë. Megjithatë, një përqindje e konsiderueshme nënash presin edhe më gjatë për të hedhur këtë hap kaq të rëndësishëm, madje deri në atë periudhë që dikur quhej “mosha e mesme”. Këtë e thekson një raport i zyrës kombëtare britanike të statistikave, nga ku rezulton se në vitin 2009, 29976 gra në Angli dhe Uells kanë lindur nga mosha 40-vjeçare e lart: ishte sasia më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar. Rreth tremijë gra janë bërë nëna vitin e kaluar: dyfish krahasuar me vitin 1999 dhe tri herë më shumë në krahasim me 1989-n. Gjithashtu, edhe një studim tjetër i kryer në Itali paraqet rezultate të ngjashme. Në Itali 12 mijë femra nga mosha 40 vjeçe e lart, u bënë nëna në vitin 1995; në vitin 2008 numri i italianeve që u bënë nëna në moshën 40-vjeçare, u rrit në 32 mijë. Në Itali ku fenomeni ka qenë i pranishëm prej kohësh, sot 5,7 për qind e femrave që bëhen nëna i kanë kaluar të 40-at. Në krahasim me Italinë, në Britaninë e Madhe përqindja është më e vogël, por tendenca është në rritje të vazhdueshme. Kjo gjë po ndodh jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe në shumicën e vendeve perëndimore. Sipas specialistëve britanikë, të cilët kanë komentuar të dhënat e reja të zyrës së statistikave, arsyet kryesore të fenomenit janë tre. Arsyeja e parë, më e qarta, është se femrat presin të përfundojnë karrierën, të kenë jo vetëm një punë të mirë, por dhe të kenë arritur një pozicion të rëndësishëm në shoqëri, para se të vendosin të hedhin hapin e madh për t’u bërë nëna. Kësaj zgjedhjeje, për të vonuar momentin më të bukur në jetë i shtohet edhe dëshira për t’i bërë mirë të dyja gjërat së bashku, nënën dhe gruan në karrierë, duke pasur shpesh edhe kushte të mira ekonomike që të japin ndihmën e nevojshme. Një ushqim i mirë dhe një jetë aktive, bëjnë që sot një grua 40-vjeçare të gëzojë një shëndet të mirë dhe të ketë një gjendje të shkëlqyer fizike në krahasim me brezat paraardhës.
Arsyeja e dytë e vonesës së një fëmije varet nga meshkujt: në fakt, ata ngurrojnë gjithmonë për të krijuar një familje. Edhe meshkujt preferojnë të presin, sepse nuk janë ende të bindur nëse duan ose jo të bëhen baballarë, ose dëshirojnë që t’i dedikohen më parë punës, pastaj karrierës. Ashtu si femrat edhe meshkujt preferojnë të martohen në moshë të madhe dhe në këtë mënyrë një familje nuk mund të krijohet. Arsyeja e tretë është e lidhur ngushtë me të dytën: sot si femrat ashtu edhe meshkujt, thonë psikologët, jetojnë një “adoleshencë të tejzgjatur” që arrin deri në moshën 30-vjeçare e lart, madje në disa raste duke arritur edhe të 40-at e më shumë. Adoleshenca që nuk kuptohet si maturitet, por si dëshirë zbulimi, aventure, njohje, shmangie apo gjithçka tjetër, për atë që ka vendosur të sjellë në jetë një fëmijë, bëhet më e ndërlikuar.
Tendenca për të rritur moshën e lindjeve duhet marrë me seriozitet. “Numri i madh i femrave që përballen me një shtatzëni pas moshës 40-vjeçare mund t’i nxisë ato të mendojnë se nuk ka kufij moshe dhe rreziqe”, thotë doktor Tony Rutheford, president i shoqërisë “British Fertility Society”. “është efekti Cherie Blair. Pasi ish-zonja e parë mbeti shtatzënë në moshën 45-vjeçare, erdhën tek unë shumë gra të tjera nëse mundeshin dhe ato. Por nuk ndodh gjithmonë kështu”.
Statistikat tregojnë se me çfarë ritmesh është zhvilluar shoqëria jonë. Dikur, gratë që arrinin në moshën 40-vjeçare ishin bërë gjyshe, ndërsa sot ndërrojnë pelenat e të vegjëlve të tyre dhe u japin për të pirë. “Femrat dëshirojnë të afirmohen në të gjitha aspektet e jetës. Nëse vjen në jetë një fëmijë, ato duhet të heqin dorë nga shumë dëshira dhe mbi të gjitha karriera”, shpjegon një psikologe. Një lindje në moshën 40-vjeçare është si një fitore pas një ndeshjeje shumë të lodhshme. “Nënat e sotme dëshirojnë të lindin pas të 40-ave, sepse mund t‘i përkushtohen më shumë fëmijës, duke qenë se e kanë kaluar moshën për të bërë karrierë, ose sepse më parë nuk kanë gjetur një baba të përshtatshëm”, vazhdon më tej ajo.
Vendimi për të lindur në moshë të madhe ka pasojat e veta. “Bashkëshortin me të cilin jetoj sot e njoha kur ishte 37 vjeç. Kur vendosëm të bashkëjetonim ishim të dy 39 vjeç dhe vendosëm të sillnim në jetë një fëmijë. Për një vit me radhë provuam me mënyrën natyrore, por meqë kjo metodë nuk po jepte rezultate vendosëm t‘u drejtoheshim specialistëve. Nuk kishim probleme steriliteti, na nevojitej thjesht një ‘ndihmë’. Iu nënshtruam analizave dhe kontrolleve të imtësishme. Dua të kujtoj se disa prej analizave ishin vërtet të rënda, si nga ana psikologjike, ashtu dhe ajo fizike”, tregon një nënë 41-vjeçare.
Femrat e ditëve të sotme janë tërhequr shumë nga kjo tendencë. Mosha sociale për të pasur fëmijë (me para të hequra mënjanë dhe një bashkëshort të denjë) nuk korrespondon më me moshën biologjike (nga 20 deri në 35 vjeç). “Në këtë moshë lindja nuk është më detyrë, por një e drejtë”, thotë një gjinekolog. Në klinikën e tij, mosha mesatare e pacienteve që dëshirojnë të mbeten shtatzëna është 38. “Falë zhvillimit të teknologjisë, sot mjekët mund ta lehtësojnë lindjen deri në moshën 43-vjeçare. Më pas, mundësitë janë tepër të vogla, ose thuajse të pamundura”, përfundon ai.
#