E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mu Sochua, gruaja e vetme kundër rrymës

Prej tre vjetësh viziton fshatrat më të humbur të Kamboxhias për t’u njohur nga zgjedhësit dhe për të promovuar të drejtat e grave në një vend maskilist

Mu Sochua hipën në një barkë me formë të zgjatur dhe tregohet e kujdesshme për të mos humbur ekuilibrin. “Do shkoj të marr votat e mia. Një për një”, thotë. Mu Sochua, 56 vjeç duhet të kalojë një lum të vogël në jug të Kamboxhias, pasi ka qëndruar në një fshat të vogël. Prej tre vjetësh opozitarja kamboxhiane më e rëndësishme e braktisur nga televizionet dhe gazetat që kanë lidhje me qeverinë, po zhvillon një fushatë elektorale të vazhdueshme. Ka vendosur të shkojë vetë te banorët e zonave të thella, që sigurisht nuk e kanë parë kurrë fytyrën e saj. “Vetëm 35 për qind e zgjedhësve e di se kush i ka fituar zgjedhjet e fundit”. Për këtë arsye nuk ka kohë për të humbur. Mu Sochua është pjesë e një brezi të ri grash që po përpiqen të ecin përpara në klasat politike të shumë vendeve aziatike, duke mbajtur poste të rëndësishme në administratat lokale, parlamente dhe qeveri. Anëtare e partisë “Sam rainsy”, Mu ka qenë ministre e Grave dhe Pasojave të Luftës nga 1998 deri në 2004-ën dhe ka luftuar me mish e shpirt të vendosë mundësitë e barabarta në qendër të axhendës politika kamboxhiane. Në vitin 2004 dha dorëheqjen duke denoncuar korrupsionin në qeveri. Tani synon të çojë përpara betejat e saj dhe të njihet me zgjedhësit edhe pse ky është një proces i vështirë. Mu thotë se suksesi i saj më i madh ishte fakti që u dha shembull mijëra grave që sot mbajnë detyra të rëndësishme politike. Por e gjithë kjo nuk ka shërbyer për të përmirësuar imazhin e gruas në një shoqëri shumë maskiliste. Po ajo kërkon të bëjë edhe diçka tjetër: të mbrojë të drejtat e saj. Idetë e saja politike janë bërë një pengesë e madhe për diskriminimin e sekseve. Në muajt e fundit ishte protagonistja e një shkëmbimi akuzash për shpifje me Kryeministrin Hun Sen, dhe sigurisht që humbi. Në prill të vitit 2009 në provincën e Kampotit, kolegji i saj elektoral, Hun Sen e quajti “cheung klang”, “këmbë të forta”, një term paragjykues për një grua në Kamboxhia. Mu e akuzoi për shpifje. Ai i hoqi imunitetin si deputete dhe e akuzoi, për të cilën Mu duhej të paguante 16.5 milionë riel (3100 euro), por që ajo refuzon t’i paguajë. “Kam frikë se mos më arrestojnë, por nuk do ta paguaj gjobën. Nëse do ta bëja do t’u jepja një mesazh të gabuar grave kamboxhiane: që nuk vlejnë asgjë, se burrat mund t’i ofendojnë kur të duan dhe ato nuk mund të reagojnë”. Mu nuk mund të bëjë më shumë për të mbështetur të drejtat e grave. Duke qenë kundër Kryeministrit ka marrë famën e opozitares. “Jam fytyra e opozitës. Gratë thonë se kanë besim tek unë dhe më vlerësojnë. Por nuk mund t’i mbështes hapur, sepse kjo do të komprometonte betejat e tyre”. Në gjashtë vjet kur ka qenë ministre e Grave Mu Sochua ka bërë fushatë kundër abuzimit ndaj fëmijëve, përdhunimeve në familje, trafikut të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të punës së femrave. Po ashtu kontribuoi në miratimin e ligjit kundër dhunës në familje. Thotë se falë punës së saj “në Kamboxhia është rritur përgjegjshmëria për diferencat mes sekseve. Njerëzit kanë filluar të jenë më të kujdesshëme ndaj të drejtave të grave”. Por nga pikëpamja politike nuk janë bërë shumë hapa para. Mu ka punuar me shumë organizata joqeveritare për të mbështetur kandidaturat e femrave në zgjedhjet lokale dhe tani nga 123 parlamentarë 27 prej tyre janë gra. Sa keq që 21 prej tyre janë përfaqësuese të partisë së popullit kamboxhian (në pushtet) dhe kufizohen duke ndjekur linjat e drejtuesve të tyre. “është e vështirë të diskutosh me to. Por nuk dua të hyj në konflikt. Por nëse femrat vuajnë për shkak të heshtjes sonë, të gjitha jemi përgjegjëse”. Shoqëria kamboxhiane është ende shumë tradicionale dhe pritet që gratë të japin prova modestie dhe nënshtrimi para burrave. Mu, që ka studiuar në SHBA, sapo u kthye në Kamboxhia iu desh të shtypë idetë dhe sjelljet e saja shumë perëndimore për vendin. Vajza e një tregtari të pasur në Phnom Penh, shkoi për të studiuar jashtë vendit në moshën 12-vjeçare. U diplomua për shkenca sociale në Universitetin e Kalifornisë duke eksperimentuar kundërkulturën e viteve ‘70-të. “Kur mbërrita në San Francisko e kuptova menjëherë që ishte qyteti im. M’u duk sikur rilinda. Rrita flokët, dukesha si një hippy”. Në vitin 1979 Mu takoi bashkëshortin e ardhshëm, një qytetar amerikan, teksa punonte në një kamp refugjatësh në kufirin tajlandez pas rënies së regjimit të Kmerëve të Kuq. Që prej 1989 jetojnë së bashku në Kamboxhia, ku ai punon për Kombet e Bashkuara. Kanë tre fëmijë të rritur që jetojnë në SHBA dhe Angli. “Duhet të jemi të kujdesshëm në promovimin e vlerave perëndimore dhe të drejtave të grave në një shoqëri të drejtuar nga meshkujt”, thotë Mu.

Një lajm i mirë

Pak ditë më parë teksa gjendej në një vend të vogël të thellë, iu desh të ndalonte për të reflektuar se si duhej të sillej para se të hynte në një restorant të vogël ku, në vapën e mesditës, disa burra qëndronin të ulur në disa karrige plastike me ngjyrë të kuqe. Për të ka qenë gjithmonë e vështirë të merret vesh me meshkujt e vendit të saj, aq tradicional dhe të mbyllur ndaj femrave. Kur e pyet se çfarë mendon për gratë në politikë Mol Sa, një peshkatar 37 vjeç thotë: “Ndoshta gra të tjera të këtij vendi nuk do të mundnin, por ajo është e fortë dhe nuk ka frikë”. Frika është një ndjenjë me të cilën Mu Sochua është takuar shpesh gjatë udhëtimit nëpër fshatra. Megjithatë, ajo guxon, ashtu si ka bërë deri më tani.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›