E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martesa, si ndikojnë tek ajo punët e shtëpisë

Nëse punët e shtëpisë ndahen mes burrit dhe gruas, atëherë shanset për divorc janë më të vogla. Atëherë si shpjegohet se edhe në këtë epokë ku ka më shumë barazi shpesh krijohen përplasje në çift për ndarjen e punëve?

Një mashkull i zakonshëm që jeton vetëm në një apartament beqari ka një profil që është shumë i rëndomtë për sa i përket kujdesit që tregon për rregullin dhe higjienën e vendit ku jeton. Një beqar mund t’i ndërrojë shumë rrallë çarçafët, apo të pastrojë shtëpinë edhe më rrallë. Kjo nuk është një çudi, sepse shumë meshkujve thjesht nuk u intereson rregulli dhe pastërtia në banesë. Kjo gjithmonë kur jetojnë vetëm dhe nuk kanë ndihmën e ndonjë të afërmi, apo pastrueseje. Imagjinoni tani këtë beqar të martohet. Marrim një çift burrë e grua. Gruaja është 36 vjeç dhe ankohet për të shoqin duke e quajtur dembel të madh. çifti ka 6 vjet që jeton bashkë dhe pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të gruas për më shumë ndihmë dhe kontribut nga i shoqi për punët e shtëpisë, ai as që e ka vënë ujin në zjarr për të ndryshuar. “Ai përpiqet ndonjëherë, por nuk e bën kurrë po nuk ia kërkove dhe mbi të gjitha nuk e bën asnjëherë siç duhet. Ndonjëherë i lë enët e palara për t’i larë në pritje që ai të marrë përsipër përgjegjësinë dhe të veprojë, por nuk ndodh asgjë. Ai i anashkalon si të mos ekzistonin”, thotë gruaja. Duke qenë se ajo pati edhe një punë të dytë për të fituar më shumë para situata u bë e padurueshme, sepse ajo nuk kishte më as kohë dhe as fuqi që t’i bënte e vetme të gjitha punët. “Vija në shtëpi shumë e lodhur se e shihja gjithçka pis, të lënë pas dore dhe të shkatërruar. Ai nuk ka respekt për mua”. Në fillim të vitit, ajo kërkoi divorcin dhe tashmë duhet të jetë ndarë. Dhe nuk bëhet fjalë për një rast të vetëm dhe të shkëputur. Rastet e divorcit për shkak të moskontributit të mashkullit në punët e shtëpisë sa vijnë e po shtohen. Duke qenë se sot një pjesë e madhe e çifteve janë të punësuara jashtë shtëpisë dhe lodhen njësoj lind edhe nevoja e ndarjes së punëve brenda saj dhe në rast të kundërt me rëndesën e gruas që tradicionalisht është kujdesur për punët e shtëpisë lindin probleme që mund të shkojnë deri në prishje të martesës. Kjo do të thotë se tashmë ndarja e punëve dhe pasojat e mosbërjes së saj mes burrit dhe gruas janë një sinjal alarmi për gjithë çiftet që duan të jetojnë gjatë bashkë. Edhe pse për hir të së vërtetës, situata është më ndryshe nga sa ka qenë tradicionalisht në shekuj, pra një pjesë e meshkujve kanë nisur që të jenë më aktivë në kontributin e punëve brenda shtëpisë, në përgjithësi problemi ekziston dhe gratë gjithmonë, edhe në rastin e një mashkulli të ndërgjegjshëm që mund të kenë në krah, bëjnë pjesën më të madhe të punëve të shtëpisë. Sipas një studimi të fundit të bërë nga një shoqatë britanike, divorcet janë më të pakta në rastet kur çifti ka arritur që të ndajë punët brenda shtëpisë. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, nevoja dhe kërkesa për barazi në këtë aspekt mes burrit dhe gruas është shndërruar në një lëvizje të mirëfilltë dhe të organizuar. Kësaj çështjeje i janë dedikuar shumë libra të shndërruar në bestsellerë, shumë biseda dhe debate televizive dhe sigurisht edhe artikuj gazetash, apo revistash. Në fakt, problemi nuk është shumë i thjeshtë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një zakon që vjen nga zanafilla dhe që ka zgjatur me shekuj të tërë. Bëhet fjalë edhe për prirjet e ndryshme që kanë meshkujt dhe femrat për sa i përket mënyrës se si bëhen punët. Meshkujt dhe femrat kanë një këndvështrim të ndryshëm për sa i përket rregullit dhe pastërtisë, si dhe frekuencës me të cilën bëhen veprime të caktuara. Por sipas shumë specialistëve kjo është një gjë që mund të ndryshojë duke qenë se shumë gjëra edhe edukohen me hir apo me pahir. Ajo çka është e rëndësishme është që secili duhet ta ndiejë se kontributi duhet të jetë i dyanshëm në një familje për sa u përket punëve të shtëpisë, sepse prishja e vazhdueshme e balancës në këtë aspekt sjell në prishjen e vetë marrëdhënies herët apo vonë. Në fakt, këto ide tingëllojnë shumë amerikane, por fakt është se tashmë po përhapen dhe gjejnë zbatim edhe te shumë çifte në Europë. Ajo që është e rëndësishme në një çift është dialogu dhe të folurit hapur. Kjo është shumë e dobishme edhe në rastin e problemit në fjalë, sepse mund të dalë që një mashkull nuk është dembel, por thjesht mendon se gjërat nuk janë të rëndësishme.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›