Parlamenti miraton largimin e varrezave të makinave nga rrugët
Akti normativ
Akti normativ, që do të çojë në largimin e varrezave të makinave 1 km larg rrugëve kryesor, u miratua dje në seancë plenare me 71 vota “pro” të mazhorancës.
Deputetët e opozitës e kundërshtuan këtë akt, duke e cilësuar si antikushtetues, i cili nuk do të japë zgjidhje situatës, por do të godasë bizneset e vendgrumbullimeve të makinave. Deputetët e majtë e kundërshtuan aktin, duke e cilësuar atë si antikushtetues, i cili nuk do t’i japë zgjidhje situatës me mbetjet e makinave jashtë përdorimit. Deputeti i PS-së, Arben Malaj, ka kërkuar qartësime për aktin normativ dhe pikat e përcaktuara në projektligj.
Ndërsa zëvendësministri i mjedisit Taulant Bino ka deklaruar se akti normativ ka nevojë për akte të tjera nënligjore, dhe bëhet fjalë për një udhëzim që parashikon evidentimit, konfiskimin, transportin dhe shitjen e mjeteve.
“Ministria e Mjedisit mes inspektoriatit ka organizuar kontroll në terren për të gjitha pikat e varrezave të automjeteve dhe ka lënë aktet e kontrollit, duke parashikuar që për çështjet e konfiskimit të hyjë në fuqi pas një muaji”, tha Bino.
Ndërsa ministri i transportove Sokol Olldashi ka theksuar se u është lënë kohë pronarëve të varrezave të makinave t’i transportojnë në vende të tjera dhe vetëm nëse kjo nuk bëhet atëherë do të veprohet.
“Ne nuk shkojmë me mjet konfiskimi, po u themi të shkojnë diku gjetkë ku nuk përbëjnë problem as për transportin, as për mjedisin”, ka theksuar Olldashi.
Akti normativ për largimin e mjeteve motorike, hyri në fuqi që në javën e parë të muajit shtator dhe të gjitha subjektet që kanë në zotërim vendgrumbullimet e mjeteve motorike janë njoftuar për t’i larguar ato 1 km larg rrugëve kryesore. Vendgrumbullimet e reja duhet të jenë të pajisura me leje mjedisore.