E Diel, 1 Nëntor 2026

Ipeshkvijtë e Afrikës veriore në Rabat për të diskutuar mbi lirinë fetare dhe dialogun me islamin.

Ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore të Afrikës veriore u mblodhën këto ditë në Rabat, Marok për të diskutuar në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Frymëzues i takimit ishte “Lineamenta” - Udhëzuesi i Sinodit për Lindjen e Mesme. Gjatë diskutimeve u nënvizua me të madhe dëbimi i misionarëve të krishterë nga kjo zonë dhe vështirësitë që ndeshen në ushtrimin e lirë të fesë dhe të kultit. Në mikrofonin e Radio Vatikanit shprehet specialisti i çështjeve të afrikanoveriore Luçiano Ardezi. “Le të themi se vala e dëbimeve e misionarëve që ka përfshirë Marokun që nga fillimi i marsit nuk është gjë e re për këtë zonë. Sigurisht, na ka habitur pak fakti që janë dëbuar përnjëheri misionarë katolikë dhe misionarë të kishave evangjelike, por siç thashë, dukuria nuk është e re. Edhe vitet e kaluara ka pasur dëbime në masë, e mbi të gjitha dëbimet nuk janë diçka e re për Afrikën veriore e në mënyrë të veçantë për Algjerinë, ku vitet e fundit janë përsëritur shumë shpesh dëbimet e pastorëve protestantë dhe evangjelikë. Por kësaj here, e reja qëndron në faktin se akuza e proselitizmit bëhet në një kontekst të ri: në Marok vitet e fundit ka lindur një bashkësi e krishterë, vendase dhe kështu që këto dëbime e kanë vënë edhe një herë në qendër të vëmendjes këtë problem. Ky grup kërkon dialog me qeverinë e Marokut dhe liri fetare që sot për sot nuk garantohet si duhet në këtë vend.

Pikërisht, ushtrimi i lirisë së kultit, i lirisë fetare, është një nga temat e nxehta të kësaj zone apo jo?

Deri tani bashkësitë e krishtera nuk kanë pasur probleme të mëdha në vendet afrikanoveriore. Kanë si kusht që të mbesin në suazën e bashkësisë, të mos përhapen, e shumica e këtyre bashkësive është me origjinë të huaj. Merita e këtyre Kishave qëndron në faktin se kanë mbajtur gjallë fenë në popujt që kanë emigruar të fundit. Prania e kishave në këto vende ka qenë gjithmonë ushqim shpirtëror për këto bashkësi, por nga ana tjetër, ato kanë ndikuar edhe tek popullsia vendase. Disa kisha evangjelike janë shumë aktive dhe kjo gjë ka krijuar tensione me qeveritë në shtetet ku islami është fe e shtetit. Nga ana tjetër, në të gjitha vendet afrikanoveriore, kushtetutat e ndryshme, e kanë, në teori, edhe lirinë e ushtrimit të fesë. Sot qytetarët e këtyre shteteve kërkojnë që të thirren të krishterë lirisht, të ushtrojnë lirisht kultin fetar, kuptohet në vendet e përshtatshme. Kjo, sipas meje do të jetë edhe sfida e viteve të ardhshme.

Afrika veriore është edhe tokë ku takohen të krishterët me myslimanët....

Do të thosha se përvojat e këtyre vendeve janë shumë pozitive dhe shkojnë përtej dialogut të thjeshtë. Unë do ta quaja një takim të vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Bashkësitë e krishtera dhe myslimane njihen, e pranojnë njëra-tjetrën dhe ndërmarrin një udhëtim të përbashkët. Le të mendojmë fjala vjen, për solidaritetin që në përgjithësi Kishat shfaqin kundrejt shtresave më të varfra dhe më të ligshta të shoqërisë, duke bashkëpunuar me shoqatat myslimane. Ka bashkëpunim të dukshëm në terren, mbase edhe më të përparuar nga dialogu teologjik, që nuk është ndërprerë kurrë dhe që vazhdon, por që hëpërhë nuk e ndihmon të lindë njohjen e ndërsjellë dhe konkrete, sikurse bën puna e përbashkët.

Përfaqësuesi i Vatikanit në OKB: Bashkësia ndërkombëtare të mbrojë vlerat dhe kulturat e popujve indigjenë

Kriza e thellë financiare ka dëmtuar rëndë edhe popullsitë indigjene. Duke pasur parasysh këtë skenar, Selia e Shenjtë i ka shtrirë programet dhe projektet e veta, duke i vënë në shërbim të përmirësimit global të kushteve të tyre të jetesës. Këtë nënvizoi dje vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, kryeipeshkvi çelestino Miliore, duke folur në Nju Jork, në sesionin e nëntë të OKB-së mbi problemet e popullsive indigjene. Quhen kështu ato popullsi, origjina e të cilave në një vend të caktuar, i ka rrënjët në parahistori. Popullsi të tilla janë pigmejtë, boshimanët, bantutë, australianët, aborigjenët, banorët autoktonë të Amerikës, viktima të kolonializmit e pakica të tjera, shpërndarë nëpër botë, të cilat edhe sot luftojnë për mbrojtjen e territorit, të gjuhëve, kulturave e sovranitetit të tyre. Të inkurajon fakti që, pas adoptimit të Deklaratës të të Drejtave të Popujve Indigjenë, pavarësisht nga kriza dhe vëshirësitë në disa sektorë, janë bërë hapa premtuese përpara, për zgjidhjen e problemeve, që kanë të bëjnë me këto popullsi, kryesisht për ruajtjen e kulturës e të trashëgimisë së tyre. Këtë theksoi vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, duke shtuar se popujt indigjenë duhet të jenë në gjendje të zgjedhin gjuhën e tyre, të praktikojnë fenë e tyre e të marrin pjesë gjallërisht në vijimin e formimit të kulturës së tyre. Prandaj – nënvizoi Prelati – Selia e Shenjtë promovon qendra, ku studiohen gjuhët indigjene, të cilat shpesh shkojnë drejt shuarjes. E impenjohet edhe në promovimin e zhvillimit kulturor, që ka për qëllim pasurimin njerëzor e shpirtëror të këtyre popullsive.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›