Papa Benedikti XVI flet shqip përmes botimit të Shtëpisë Botuese "55"

U promovua sot libri i tij bestseller “Jezu Krishti i Nazaretit” . Të pranishëm në ceremoni, kryeministri Sali Berisha, ministrat Lulzim Basha e Arben Imami, Imzot Rrok Mirdita, Nunci Apostolik në Tiranë Ramiro Moliner Ingles, Kryepeshkopi Anastas, si dhe përfaqësues të politikës dhe kulturës në vend
“Jezusi i Nazaretit” një nga librat bestseller shkruar nga Joseph Ratzinger (Benedikti XVI) tashmë mund të flasë edhe shqip nën përkthimin mjeshtëror të Ferdinand Lekës, botuar nga Shtëpia Botuese 55. Në ditën Ndërkombëtare të Librit, në këtë javë të prillit është pesëvjetori i zgjedhjes së tij dhe i fillimit të Pontifikatit të tij, Nunciatura Apostolike në Tiranë, Rektorati i Tiranës dhe Shtëpia Botuese 55 organizuan në hotel “Sheraton”, promovimin e këtij libri. Në aktivitet morën pjesë autoritetet më të lartë të besimeve fetare në vend, Imzot Rrok Mirdita, Kryepeshkopi Janullatus, Nunci Apostolik i Vatikanit në Shqipëri Ramiro Moliner Ingles, kryeministri Sali Berisha si dhe përfaqësues të politikës dhe kulturës në vend.
Fjalën e hapjes e mbajti presidenti i “Botimeve 55” Fahri Balliu, i cili e quajti botimin e librit të Papa Bendiktit të XVI-të në shqip si një ngjarje të rëndësishme. “Po paraqesim para jush librin e Papa Ratzingerit, një libër bestseller në botë, një libër që deri tani ka kaluar mbi 2 milionë kopje, që emeton tek njerëzit paqe, filozofi, guxim, dhe hetim për botën të cilën ne e jetojmë. është një libër çelës, një libër që në duart e lexuesve të të gjitha shtresave e besimeve, një libër diturie”, tha Balliu.
Ndërsa Rektori i Univesitetit të Tiranës, prof. Dr. Dhori Kule u ndal në dimensionin që përcjell ky libër tek lexuesi. Ndër të tjera z. Kule tha: “Aktiviteti promovues është tepër i veçantë, mbi të gjithë të tjerët. Ky aktivitet që organizohet nën kujdesin e botuesit, Nunciaturës Apostolike në Tiranë dhe Rektoratit të Tiranës, ka veçanti për këto motive: i veçantë për autorin e librit dhe për vetë librin. Autori Jozef Ratzinger, i cili nga 19 prilli i vitit 2005 është zgjedhur Papë, dhe i nominuar Benedikti XVI, ka një veprimtari të konsiderueshme botuese, rreth 100 libra dhe 600 artikuj, tashmë vjen në gjuhën Shqipe me librin “Jezusi i Nazaretit”, falë përzgjedhjes së goditur që botuesi i shtëpisë botuese “55”, dhe përkthimi me kompetencë i Ferdinand Lekës, e sjell pranë nesh. Pasi përfundova leximin e këtij libri i cili të kërkon të përkushtohesh plotësisht gjatë leximit, që të mund ta shijosh në përmasat e duhura, të le pas një aromë dhe një ndjesi jashtëzakonisht të mirë, që natyrshëm e të ofrojnë libra dhe vendburime të tilla. Të bën të ndihesh mirë dhe në vështrimin e aktualitetit, të të shkuarës dhe të ardhmes të mbizotërojë në këndvështrimin tënd, mirësia. Ju sugjeroj ta shijoni këtë ëmbëlsi e kënaqësi që të jep ky libër”, - përfundoi z. Kule.
Ndërsa Nunci Apostolik Ramiro Moliner Ingel tha se ky libër nuk është një biografi për Jezuin e shkruar sipas stilit klasik. “Në këtë vëllim Autori kufizohet vetëm me analizimin e disa momenteve themelore të jetës së Jezusit, që i korrespondojnë periudhës mes Pagëzimit në lumin Jordan dhe Shndërrimit në malin Tabor. Gjithsej janë dhjetë momente, mbi të cilët Autori reflekton në po aq kapituj: Pagëzimi i Jezusit; tundimet; “predikimi në mal”; lutja e Zotit (Ati Ynë); nxënësit; mesazhi i shëmbëlltyrave: simbolet e mëdha të shën Gjonit apostull; rrëfimi i Pjetrit, shndërrimi dhe pohimet e Jezusit për vetveten”, tha Ingles. Sipas tij, “Fakti që një Papë flet apo shkruan për Jezusin e Nazaretit nuk duhet të habisë askënd. Përkundrazi, kjo është detyra e tij e parë dhe më imperative. Në rastin tonë, ajo që habit është mënyra tërësisht origjinale se si Autori i librit e ka bërë atë. Dhe kjo na nxjerr një pyetje të dytë: dhe është ajo për të ditur nëse fjalët që gjenden në vëllimin që sot po paraqesim janë fjalë të pajisura me atë forcë “magjisteriale” karakteristike të dokumenteve papnore (si për shembull 3 Enciklikat e botuara deri tani prej Benediktit XVI: “Deus caritas est”, “Spe salvi”, “Caritas in veritate”), apo, përkundrazi, bëhet fjalë për meditime të një studiuesi që shpreh bindjet e tij personale, edhe pse vijnë prej një familjariteti të gjatë të Autorit me temën e tij dhe nisen prej pjesëmarrjes personale të tij në jetën e Kishës dhe në ndjekjen e Krishtit”. “Autori tregon gjithashtu se pa realitetin e Jezusit, realitet i bërë prej mishi dhe gjaku, krishtërimi do të rrezikonte të kthehej në një moralizëm të thjeshtë dhe një çështje intelekti. Për këtë arsye ai është edhe i shqetësuar për ta ngulur fenë e krishterë në rrënjët hebraike dhe e bën duke iu referuar profecisë së Moisiut në Librin e Ligjit të Përtërirë 18,15.18: “Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji yt, në popullin tënd, prej vëllezërve të tu: atë dëgjojeni. [...] në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar atij”, profeci që ai e shikon të realizuar në Jezusin”, tha Ingles. Për drejtoreshën e “Shtëpisë Botuese 55” Alda Bardhyli, suksesi i këtij libri i cili vetëm pak pas daljes së tij të parë më 13 prill 2007 në sallën e Sinodit në Vatikan është shitur në mbi 2 milionë kopje, qëndron pikërisht në anën njerëzore të vështrimit që Benedikti i VXI i bën figurës së Jezusit. Sipas saj vetë Benedikti i VXI rrëfen në parathënien e këtij botimi se ky libër ka ardhur si rezultat i një ecjeje të gjatë shpirtërore. Ka filluar të punojë për këtë libër gjatë pushimeve të vitit 2003, dy vjet para zgjedhjes së tij, kur Kardinali Joseph Ratzinger ishte ende Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. *** “Jezusi i Nazaretit” është një nga librat më të njohur të Papa Benediktit të XVI. Prezantimi i tij i parë u bë 3 vjet më parë me një përhapje të gjërë mediatike në Vatikan. Personi i ngarkuar për paraqitjen qe Arqipeshkvi i Vienës, Kardinali Christoph Schoenborn, dishepull brilant i Profesor Ratzingerit. Në tribunë gjendeshin, ndër personalitetet e tjera të shkëlqyera, Profesorët Daniele Garrone, Dekan i Fakultetit Valdez të Teologjisë, në Romë, dhe Massimo Cacciari, Profesor i Estetikës i Universitetit Vita-Salut San Rafaele, në Milano. Eventi u koordinua prej Atë Federico Lombardi, s.j., Drejtor i Zyrës së Shqypit të Selisë së Shenjtë dhe të Radio Vatikanit. Ceremoni të ngjashme u zhvilluan në shumë qytete dhe institucione në pesë kontinentet. Libraria Botuese e Vatikanit, që e kishte shtypur librin, e vetëdijshme për rëndësinë botërore që do të kishte botimi, ia kishte kaluar të drejtat e përkthimit, shpërndarjes dhe të shitjes në të gjithë botën Shtëpisë Botuese Rizzoli, e cila, nga ana e saj, ia kishte transferuar Herder Verlag të drejtat e përkthimit për Gjermaninë. Tri ditë mbas paraqitjes zyrtare, më 16 prill, datë në të cilën Autori i librit Jezusi i Nazaretit kapërcente pragun e 80 vjetorit të lindjes, më shumë se gjysmë milioni kopjesh, në gjuhën italiane, gjermane dhe polake, ishin tashmë në dispozicion të publikut, ndërsa 22 botime në gjuhë të tjera ishin në proces.Tetë muaj më vonë, në fillim të vitit 2008, numëroheshin mbi 40 botime të librit dhe ishin shitur tashmë më shumë se dy milionë kopje. Jezusi i Nazaretit ishte bërë, pa diskutim, një “best seller”!Kardinali Karlo Maria Martini, sj., Arqipeshkvi i Milanos në pension, autoritet i njohur në fushën e ekzegjezës biblike, ka vërejtur se në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XX dhe deri më sot, janë botuar në mbarë botën shumë libra mbi Jezusin, në gjuhë të ndryshme dhe të shkruar prej alternativave të ndryshme kulturore. Sipas tij, kjo nënvizon aktualitetin e jashtëzakonshëm të figurës së Jezusit dhe larminë e afrimeve dhe perspektivave prej të cilave personi i tij perceptohet dhe studiohet. Por nuk kishte ndodhur kurrë deri më sot që të dilte një libër i një Pape mbi Jezusin. është e vërtetë, saktëson Kardinal Martini, se gjatë pontifikatit të gjatë të Gjon Palit II u botuan disa libra të shkruar prej tij që i referoheshin më shumë jetës së tij. Por kjo është hera e parë që del një libër i një Pape që rreh drejtpërdrejt temën kaq të vështirë dhe të gjerë sikurse është jeta e Jezusit dhe kuptimin e veprës së tij.
...