Deputetët socialistë, edhe dje mbetën besnikë të ferexheve të Gramozit Ruçit dhe Endri Fugës

Opozita vazhdon kursin e bojkotit; Deputeti i PD-së Edi Paloka: Edi Rama ka kthyer kaosin në rrugët e Tiranës
Edi Rama në një fazë të papërgjegjshme morale dhe etike me dispozitat dhe rregullat e shoqërisë solidarizohet me gjuhën prej “pisi” të Taulant Ballës dhe Saimir Tahirit, në sallën e Kuvendit. Prej 2 javësh opozita ka bojkotuar edhe nismën e saj të hershme për transparencën e zgjedhjeve, duke mos marrë pjesë në asnjë prej seancave të dy javëve të fundit. Në këto kushte, pakica ‘po’ dhe ‘jo’ parlamentare ende ndodhet në një krizë të rëndë identiteti përfshirë këtu edhe krizën e lidershipit, që prej muajsh të tërë po e çon këtë krah politik në një proces të rrezikshëm kaosi transformues, pa rrugëzgjidhje.
Edi Rama, në vazhdën e kursit politik anti integrues ka ndërthurur tashmë veprimet e përligjshme dhe ato jashtë konsistimit ligjor, në një fushatë të egër kundër qeverisë aktuale dhe mazhorancës që drejton vendin.
është fakt i prekshëm tashmë se në arenën e paqartë te veprimeve, lakuriqi i socialistëve, ka rezultuar një dështim i plotë dhe njëherazi po vihet në pikëpyetje të thellë vlefshmëria e 64 mandateve parlamentare të opozitës dhe njëherazi përgjegjshmëria e tyre ndaj elektoratit votues.
Edi Rama u solidarizua me gjuhën prej “pisi”, të Taulant Ballës dhe Saimir Tahirit, me mbajtjen e deputetëve të opozitës prej dy javësh jashtë dyerve të parlamentit, për të nëpërkëmbë me këtë rast edhe “objektivin” e opozitës, për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Kjo, për arsyen e vetme se opozita nuk kërkon kurrfarë transparence, por vetëm kuadrimin e kursit të destabilizimit të vendit dhe përligjjen e veprimeve të turpshme të opozitës shto këtu edhe kërcënimet ndaj institucioneve të vendit.
Mirëpo, mos dalja nga ferexhetë e Gramoz Ruçit dhe Endri Fugës, përbën për opozitën një tjetër hendek të shkëputjes me realitetin politik, social dhe ekonomik në vend.
Në një kohë kur Shqipëria përshëndetet nga kancelaritë mirënjohura perëndimore, Edvini dhe Gramozi nën dirigjimin e Fugës, veshin ferexhetë për të mbuluar turpin dhe lakuriqësinë...
Deputeti i PD-së Edi Paloka: Edi Rama ka kthyer kaosin në rrugët e Tiranës
I ashpër në fjalën e tij në Kuvend ka qenë deputeti Edi Paloka, i cili ka reaguar si çdo qytetar i Tiranës, lidhur me paralizimin e trafikut në kryeqytet.
Paloka vuri në dukje se trafiku në Tiranë u bllokua nga një tekë e Edi Ramës, si çdo tekë e tij, për të ndërprerë liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
“Për një tekë të tij ai dje bllokoi rrugën e makinave, po për tekat e tij ai kërkon t’i prish dhe ëndrrën shqiptarëve dhe të bllokojë liberalizimin e vizave, t’i bllokojë integrimin. Për tekat e tij ai e çoi drejt kaosit jo vetëm trafikun e makinave, por një vend të tërë. Më e keqja është që brenda opozitës nuk ka se kush t’i verë fre çmendurisë së tij. Nuk mund të presësh nga ca qenie pa dinjitet të cilëve Rama u vë lecka të zeza në fytyre dhe i fut bilbilin në gojë që të reagojnë ndaj veprimeve të tij”, u shpreh Paloka.
Sipas deputetit demokrat, veprimet e Edi Ramës janë në kuadër të fushatës dhe kursit të tij të kaosizimit të çdo hapësire të lirë dhe të pavarur në vend.
“Edi Rama u paralajmërua se bllokimi i trafikut të makinave në shesh do të sillte vetëm kaos. Nuk është nevoja të jesh specialist për ta kuptuar këtë. Por pikërisht kjo e bën të rrezikshme atë që ndodhi dje. Sikur një i çmendur të kishte dalë në mes të bulevardit, njerëzit do të qeshnin dhe do vazhdonin rrugën. Por kur ky njeri është kryetari i bashkisë, apo lideri i opozitës, situata ndryshon”, tha Paloka.
Sipas tij, Rama po vepron në këtë mënyrë për të plotësuar kapriçiot e tij, të cilat synojnë të pengojnë proceset integruese të Shqipërisë.
Paralizimi i trafikut në kryeqytet, është kthyer tashmë në një makth të tmerrshëm, çka pritet të sjellë pasoja të rënda psikologjike dhe njëherazi një ndëshkim për urbanizmin e kryeqytetit shqiptar.