E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Debat me Berishën, vetëm kur të hapë kutitë

TIRANE-Kryetari Edi Rama deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se do të jetë gati të përballet me një debat me kundërshtarin politik Sali Berisha, sapo ky i fundit të hapë kutitë.
“Sapo Sali Berisha të hapë kutitë, atëhere do të pranoj të debatoj me Berishën. Vetëm atëhere do jem gati të pranoj një debat, ku të dojë dhe sit ë dojë Sali Berisha”.
Në këtë mënyrë i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve Edi Rama pas ftesës që i bëri dje kryeministri Sali Berisha që mes tyre të mund të zhvillohet një debat ku të diskutohet gjerësisht për cështje të ndryshme.

Gjatë fjalës së tij përshendetëse në Forumin për Median, moderuar nga drejtori i “La Gazzetta del Mezzogiorno, Carlo Bollino, kreu i qeverise shqiptare, Sali Berisha i ka komunikuar Ramës, (i pranishëm në Forum) që akuzat politike nuk duhet të jenë pjesë e këtij forumi, por pjesë e një debati televiziv.
"Une mendoj që këto cështje nuk duhen të jenë pjesë e forumeve të tilla. Jam i gatshëm të përballem me ty për cdo cështje, pasi respekti im për opozitën është i palëkundur” – deklaroi Berisha.

Por, sot Rama pasi komentoi dhe njëherë për krizën që sipas tij ka pushtuar jo vetëm politikisht por edhe ekonomikisht vendin theksoi se “zoti Berisha është sfiduar prej 10 muajsh nga opozita” dhe se ai vetë do përballonte një debat, vetëm kur të realizohet kërkesa e palëkundur e PS për hapjen e kutive e votimit të 28 Qershorit 2009.

Rama dhe në daljen e radhës në konferencë për shtyp i bëri thirrje popullit të marrë pjesë në protestat e opozitës më 30 Prill.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›