E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbaroi gjendja e emergjencës, Rama në gjendje emergjence

10-03-2012 / Nga Redi Agolli

Kryeministri Berisha njoftoi dje mbarimin e gjendjes së emergjencës, e cila u shpalos si një skuadër e madhe shpëtimi, saqë dukej sikur ishte përbërë me superheronj, me ata superheronj që i kemi parë në filmat vizatimorë, tek cilët shikonim forcën për të mundur të ligën. Në rastin tonë, superheronjtë ishin ata doktorë e infermierë që rrinin në gatishmëri, ata ushtarakë që fluturonin të shoqëruar nga flokët e trasha të dëborës, e shumë persona të tjerë...ndërsa, i ligu, personazhi i keq ishte vetë Nëna Natyrë. Kjo e fundit, duke sfiduar shtetin dhe qeverinë shqiptare, e tregoi këtë të fundit si një kundërshtare të denjë, të aftë për të shmangur pasojat fatale. Mbarimi i gjendjes së emergjencës shënon njëkohësisht fundin e ekzistencës së rrezikut për qytetarët në veri, të cilët ishin bllokuar nga “barrikadat” e dëborës. Banorët në veri, tani janë të sigurt, të lirë për të shkuar në punë e në shkollë, të qeshurat e fëmijëve nëpër oborret e shtëpive dhe të shkollave dëgjohen sërish, ashtu si edhe zhurma e këpucës dhe atleteve mbi rrugë të zhbllokuara, pra jeta normale rifilloi. Megjithëse muaji Mars është muaji kur Nëna Natyrë tregon mëshirë për njerëzimin dhe i fal atij stinën e pranverës, ardhjen dhe bukurinë e së cilës i bëjnë jehonë zogjtë me ciu ciu-n e tyre, zogu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i bënte ciu ciu në dimër, aq sa iu çjerr zëri, shpresës për fillimin e metamorfozës së dëborës së madhe në përmbytje masive. Pasi dështoi për të shuar etjen e tij të nekropolitikës me fatkeqësinë natyrore të përmbytjeve në Shkodër, ku Rama pretendonte se ishte Noe-ja i ri, por, në dallim nga ai Biblës, Arka e Ramës ishte apriori e çarë, në të nuk kishte shpëtim (koordinim me strukturat shtetërore, e as soliditet me banorët e prekur nga përmbytja, por vetëm demagogji të kulluar të nekropolitikës së tij).
Meqenëse në rastin e Shkodrës, nuk i ra “ Fitove”, por “Provo Përsëri”, këtë të fundit, Rama, e bëri gjatë fatkeqësisë natyrore të muajve të fundit. Duke amplifikuar të zezën e nekropolitikës së tij me bardhësinë e dëborës, Rama shfrytëzoi këtë pushtimin nga dëbora për të korrur frute elektorale, duke sulmuar qeverinë shqiptare me akuza qesharake se ajo ishte shkaktare e dëborës. Nga zbërthimi i fjalëve të Ramës, dilte se kryeministri Berisha kishte lidhur një marrëveshje me  “Nënën Natyrë”,  për të shkaktuar këtë fatkeqësi. Duke kafshuar thonjtë e dorës, Rama priste me padurim për të rënë ndonjë ortek mbi disa shtëpi, madje, vetë banorët e Komunës Rajcë, në Librazhd, komunë të cilën Rama e vizitoi, thonë se Edi, kur kalonte afër ndonjë mali me dëborë, fliste me zë të lartë (mbase një përpjekje për t’i rrëzuar vetë ortekët).
Përballimi i situatës me gatishmëri të lartë nga qeveria shqiptare, e pa dëme letale në jetë njerëzish, e zbardhi fytyrën e Ramës, ashtu siç kishte bërë dëbora në veri. Nekropolitika e tij ishte më etur se kurrë, ai kishte dështuar të korrte fryte nga dëbora. Tani, ai filloi të gjente ngushëllim tek gjendjet agregate, shndërrimi i dëborës në ujë, që sipas parashikimeve të Ramës do të shkaktonte përmbytje të mëdha. Parashikime të tilla për përmbytje masive kanë bërë vetëm Nostradamusi dhe civilizimi Maya, e mund të themi me plotë gojë se një fije besueshmërie e kanë këto të fundit sesa ato të Ramës. Kur ka treguar se është i paftë në art, në fushën ku beson se ka disa aftësi, merret me mend sesa njohuri ka Rama për proceset kimike dhe gjeofizike. Edhe këto parashikime, për fatin e keq të Ramës, e për fatin e mirë të banorëve të veriut nuk ndodhën, Rama dështoi sërish për të ushqyer nekropolitikën e tij, e tani ka mbetur pa alternativa.
Kur evropianët zbarkuan për herë të parë në “Botën e Re”, në Kontinentin e sapo zbuluar të Amerikës, e pasi u njohën me amerikanët nativë, të njohur gabimisht si indianë, këta të fundit, për të përcaktuar nëse “njerëzit e bardhë” ishin me shpirt të mirë, i kalonin ata në disa seanca me liderin e tyre shpirtëror, që quhej Shaman. Ky i fundit, përpos aftësisë së sipër cituar, sipas besimeve indiane, kishte edhe aftësi për të kontrolluar motin. Ai mund të sillte reshje duke ndjekur një ritual rreth zjarrit. Solla këtë shembull për ta “ndihmuar” Edvinin në misionin e tij të stuhishëm, pra të provojë një herë praktikën e shamanizmit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›