E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iphone i ri, apo muze i ri?

EDI LESI

Çdo të thotë të hapësh një muze të ri në Tiranë për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, apo për krimet e komunizmit, kur të gjithë flasin për High Definition, 3D, Iphon e ri Apple i fundit, Facebook, Twitter, Skype etj? Për shumëkënd mund të tingëllojë pa sens. Mrekullitë e High-Tec janë një eklips i madh… Zhvillimi teknologjik po e ndan në mënyrë të pamëshirshme kohën tonë, duke vënë kufij mes epokave ende pa kaluar ndoca vite. Rrezikojmë kështu të futemi në ingranazhet e një matrice që do të na zhvishte përfundimisht nga shumë cilësi humane. Një syresh në veçanti, që është kujtesa dhe mirënjohja.
Në këtë rend teknologjik që po jetojmë, masakrat e Prekazit e Krushës së Vogël, e Recakut, duket sikur kanë ndodhur në një kohë tjetër, të largët, dhe jo 14 vite më parë.
Mijëra të vrarët e komunizmit, të pushkatuar e të linçuar, priftërinj të ditur, intelektualë, njerëz që kërkonin një alternativë pos asaj të imponuar me dhunë, e deri te të rënët në përpjekje për të kaluar kufirin bash në vitin 90, nëse do të liheshin në fatin e zhvillimit të sotëm të shoqërisë sonë, për fat të keq, nuk do të ishin veçse statistika, ngjarje të ndodhura dikur në një botë që nuk na përket më. Edhe masakrat ndaj çamëve dhe kalvaret e shumta që ka kaluar kombi janë një çështje e vjetër, një hesap gati i mbyllur për shqiptarin e sotëm, teksa në të vërtetë bëhet fjalë për shekullin që sapo kemi lënë pas.
Veç teknologjisë, një aleat i mirë për këtë harresë është, sigurisht, arroganca, egoizmi, rendja drejt materiales, dhe jo rrallë dhe hallet e përditshme e mospasja.
Mirëpo, kur qindra dhe mijëra veta shkojnë çdo javë tek TEG për të blerë mallrat e reja që dalin në vitrina, del se varfëria nuk e përligj gjithaq harresën tonë për të shkuarën e afërt dhe të largët. Është e kuptueshme se nuk mund të presim një të këtillë popull masiv të shkojë në muze, por mbetet gjithnjë lajm i mirë sa herë që në Tiranë bëhet një përpjekje e re për të kujtuar, për ta ndalur pak kohën dhe për të parë rrugën nga kemi ardhur e çfarë kanë provuar të parët tanë.
Sot ne jetojmë të lirë, por do të ishte shumë perverse nëse nuk do të ndërmendeshim herë pas here se liria është ajo çka ka munguar thellësisht dhe për shumë gjatë në anët tona.
Golgota e shqiptarëve nuk është një episod i shkurtër në histori, por një fat i pandashëm nga zanafilla e deri më sot. Ndaj nuk ka se si të harrohet.
Intelektualët, studiuesit, të zgjedhurit për të qeverisur, e kanë për detyrë të kenë një vizion që e tejkalon rendin e shoqërisë së konsumit. Rezistenca ndaj kësaj amnezie sociale dhe tendencës së krijimit të njeriut të ri pa kujtesë, me hundën të zhytur në aparate, lypset të kthehet në institucion.
Është progres dhe i shërben njerëzimit Iphoni i ri, por gjithaq mbetet po kaq e rëndësishme edhe hapja e një muzeu të ri në qytet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›