Gjyqi i Gerdecit, avokati: Luan Hoxha, dy muaj i zhdukur

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha
Gjykata shtyn për një javë vendimin. Në seancë mungonte vetëm ish-shefi i Shtabit. Prokuroria kërkon 8 vjet burg.
Arratisja, avokati: Su interesua për gjyqin prej 2 muajsh.
Trupa gjykuese e dosjes Gërdeci në Gjykatën e Tiranës nuk e shpalli dje vendimin përfundimtar ndaj 28 të akuzuarve për tragjedinë e 15 marsit 2008. Ndonëse ishte parashikuar për tu lexuar, shpallja e verdiktit u shty për të hënën e ardhshme, më 12 mars. Për shkak të kompleksitetit të dosjes, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado dhe anëtarë gjyqtaret Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari, nuk mundën të përfundonin vendimin në afatin e vendosur prej tyre. Seanca zgjati vetëm pak çaste. Për arsye të madhësisë dhe kompleksitetit të çështjes, kryetari i trupit gjykues urdhëron shtyrjen e shpalljes së vendimit për më datë 12 mars, ditë e hënë, ora 10:00, u shpreh kryesuesi i seancës. Në seancën e djeshme u vu re mungesa e ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha, i cili besohet se është arratisur jashtë Shqipërisë. Sipas kryesuesit Hado, trupa gjykuese kishte pamundësi absolute për tu shprehur. Pas këtij artikulimi, seanca u quajt e përfunduar. Në këtë mënyrë, fati i të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin prej të cilit vdiqën 26 veta, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, do të mësohet vetëm pak ditë para përvjetorit të tij të katërt.
MUNGON LUAN HOXHA
Seanca e djeshme e dosjes Gërdeci e gjeti të tejmbushur sallën e gjyqit me të pandehur, avokatët e tyre mbrojtës, familjarë të viktimave, si dhe përfaqësues të medias. Nga të pandehurit kryesorë të dosjes ishin të pranishëm ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari dhe i pandehuri Sokol Ngjeci, ndërkohë që vihej re mosprania e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, të pandehurit Luan Hoxha. Ndonëse Prokuroria e Tiranës, në konkluzionet përfundimtare kërkoi deklarimin e fajshëm të tij dhe dënimin me 8 vjet burg e 5 vjet përjashtim nga kryerja e funksioneve publike, gjenerali Hoxha kishte zgjedhur të mos ishte i pranishëm në seancën ku do të jepej vendimi ndaj tij. Në bankën e mbrojtjes dje ndodhej përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Brahim Lahi. I kontaktuar pas përfundimit të seancës, avokati Lahi mohoi të kishte komunikuar me klientin, gjeneralin Hoxha. Nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me klientin tim, u shpreh avokati Lahi. Sipas mbrojtësit Lahi, kontakti i fundit me ish-gjeneralin e ka pasur pak ditë para se në media të publikohej lajmi mbi largimin e Luan Hoxhës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 10 shkurt, gazeta Panorama publikoi lajmin se gjenerali Hoxha ishte larguar përtej Atlantikut. Ai nuk ishte paraqitur në punë që prej datës 1 janar 2012. Sipas të dhënave të atëhershme, gjenerali kishte udhëtuar në mënyrë të ligjshme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Gjykatën e Tiranës ai është gjykuar pa masë sigurie. Për këtë shkak, lëvizja e tij jashtë territorit të vendit nuk ishte e ndaluar.
Prokuroria kërkoi 3 burgime përjetë
Nga procesi i Gërdecit
TIRANE Njëzet e tetë të akuzuarit e dosjes Gërdeci, mes të cilëve edhe shoqëria Albademil sh.p.k., si person juridik, do ta mësojnë fatin e tyre në lidhje me akuzat që u rëndojnë më 12 mars 2012. Në fazën e konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria e Tiranës kërkoi deklarimin e fajshëm të 29 të pandehurve. Vetëm për një prej tyre, të pandehurin Lavdi Shtatro, organi i akuzës kërkoi tërheqjen e akteve për hetime të mëtejshme. Në fjalën e saj të fundit, prokuroria kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurit Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari. Për të pandehurit e tjerë, akuza kërkoi një total prej 127 vjetësh burg, gati 80 milionë lekë gjobë, si dhe vite të tëra përjashtim të tyre nga funksionet publike. Para trupës gjykuese të gjithë të pandehurit pretenduan pafajësi. Të akuzuarit për vrasje në rrethana cilësuese e pretenduan akuzën si të pabazuar dhe në të gjitha rastet pohuan se prokuroria nuk kishte mundur të vërtetonte shkakun e vërtetë të shpërthimit në Gërdec.
ARMAND BAJRAMI
