Irak, Maliki:Të tërhiqen trupat amerikane

Kryeministri irakian, Nuri al Maliki ka deklaruar se është i vendosur për dislokimin e forcave ushtarake irakiane në vend, me qëllim shpejtimin e tërheqjes së trupave amerikane. Marrëveshja që u nënshkrua në fund të nëntorit të kaluar mes SHBA-së dhe Irakut parashikon tërheqjen e trupave amerikanë deri në fund të vitit 2011-të. "Jemi të vendosur të përmbushim vendosjen e forcave tona ushtarake me qëllim që të rimarrim përgjegjësitë lidhur me sigurinë në vend, gjë që do të përshpejtojë akoma më shumë tërheqjen e trupave amerikanë nga Iraku", tha Al Maliki, gjatë një fjalimi. Ndërkohë që të premten, ministri i Jashtëm i vendit Hoshiar Zebari, u shpreh se shpresonte që presidenti i ri amerikan, Barak Omama nuk do të merrte vendime drastike lidhur me tërheqjen e trupave amerikanë nga Iraku. "Të gjitha vendimet do të merren përmes konsultimeve me komandën ushtarake në vend dhe qeverinë irakiane. Zgjedhjet e parashikuara në Irak në vitin 2009-të janë një fat shumë i madh për marrjen e menjëhershme të vendimeve", tha Zebari. Gjatë fushatës elektorale, Barak Obama premtoi se do të kryente tërheqjen e trupave amerikane 16 muaj pas marrjes së detyrës. Pas marrjes së detyrës, Obama iu kërkoi zyrtarëve ushtarakë të vazhdonin planifikimin e nevojshëm për tërheqjen e trupave amerikanë nga Iraku në mënyrë të përgjegjshme. Dhuna në Irak është ulur kohët e fundit, megjithëse sulmet kamikaze dhe me makina bombë mbeten akoma një shqetësim i vazhdueshëm.