Athinë, zjarr makinës së një ministri
Makinës së një ministri iu vu zjarri sot në Janinë dhe një makinë policie u dëmtua në Athinë ndërsa disa persona të panjohur hodhën një bombë Molotov kundër një banke, duke shkaktuar dëme materiale, njoftojnë burime policore.
Në Janinë, qytet në veriperëndim të Greqisë, një makine që përdorej nga sekretari i Shtetit në Ministrinë e Ambjentit, Stavros Kalojanis, iu vu zjarri mëngjesin e sotëm. Automjeti ishte parkuar përpara shtëpisë së tij. Banka Bujqësore greke në Psychiko, në periferi të Athinës, u sulmua me lëndë djegëse duke shkaktuar dëme të vogla.
Përveç këtyre, një grup të rinjsh dëmtuan një automjet të policisë në lagjen Kolonaki, pranë qendrës së Athinës, pa shkaktuar të plagosur.
Sulmi ndodhi në çastin kur automjeti po kalonte përpara një spitali, ku të rinjtë ishin grumbulluar për të shprehur mbështetjen ndaj një sindikalisti i cili ishte sulmuar nga persona të panjohur dhe ishte shtruar në spital përpara tri ditëve. Policët ishin larguar.
Këto lloj sulmesh, që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale deri tani, janë shtuar javët e fundit pas vdekjes së një adoleshenti të vrarë me armë zjarri nga një polic më 6 dhjetor në Athinë. (atsh)