E Diel, 1 Nëntor 2026

Irakeni dhe mauritanezi, grabisin me dhunë 67-vjeçarin shqiptar në Athinë



Athinë – Një emigrant shqiptar në moshë të thyer është bërë objekt i dhunës së egër fizike dhe grabitjes, nga dy shtetas të huaj me qëndrim të dyshimtë në Greqi. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të sheshit “Omonia” në kryeqytetin grek, Athinë. Mësohet nga burimet zyrtare policore se 67-vjeçari shqiptar, emri i të cilit për shkak të etikës nuk publikohet, është përballur në orët e para të ditës së djeshme me dy personat e dhunshëm. “Ne konstatuam se ishte një shtetas iraken, 24 vjeçar dhe një shtetas tjetër i huaj, nga Mauritania, 26 vjeçar, të cilët i zunë pritë në rrugën pranë sheshit “Omonia” shtetasit shqiptar 67-vjeçar, duke e grabitur atë me anë të përdorimit të dhunës fizike”, konfirmoi policia e Shtetit në Athinë. “Dy emigrantët e goditën me hekura në kokë 67-vjeçarin shqiptar dhe pasi e rrëzuan pa ndjenja në tokë, i rrëmbyen çantën që mbante në duar ku ndodhej një sasi e konsiderueshme eurosh dhe u zhdukën në drejtim të paditur”, detajoi policia. Në orët e para të ditës së sotme, ka nisur një operacion, i bazuar në të dhënat që i dha policisë, 67-vjeçari shqiptar, emigrant i rregullt në Greqi. I dëmtuari pasi mori mjekim në spitalin shtetëror të Athinës, ndihmoi agjentët e policisë të skicojnë identikitët e agresorëve dhe pas kësaj, bazuar në skedat policore, u identifikuan dy të dyshuarit, të cilët u arrestuan. Policia tha se mauritanezi dhe irakeni pranuan të ishin ata autorë të grabitjes. Po sot, ata u dërguan në mesditë në Gjykatën e Athinës, ku prokurori kërkoi arrest në burg deri në përfundim të hetimit, kërkesë që u pranua nga gjykatësi. Kohët e fundit, është shtuar shumë numri i grabitjeve që kanë për viktima, shtetasit shqiptarë, emigrantë në Greqi.

Aksident i rëndë në rrugën Athinë-Patra, gjejnë vdekje tragjike dy shqiptarë

Athinë – Dy të rinj, emigrantë nga Shqipëria, kanë gjetur vdekje tragjike në rrugën shtetërore Athinë-Patra, informon policia e kryeqytetit grek. Ngjarja ndodhi në kilometrin e 105-të të rrugës Athinë-Patra, kur një 27-vjeçar shqiptar, me dokumente të rregullta në Greqi, drejtonte një autoveturë ku pasagjer ishte dhe një bashkëmoshatar i tij. Ndërsa shkonte nga Athina në Patra, në kilometrin e 105-të, kaloi për shkaqe të paqarta në krahun e kundërt të rrugës së tij. Për pasojë, u përplas me një tjetër autoveturë ku gjendej në drejtim, një shtetas grek. Në aksident u përfshi dhe një tjetër veturë që shkonte drejt Athinës. Si rezultat i përplasjes fatale gjetën vdekjen dy shqiptarët në automjetin e parë kurse u plagos dhe shoferi i makinës së dytë. Pa dëme nga ky aksident, dolën personat që gjendeshin në makinën e tretë të përfshirë në aksident. Policia rrugore e Athinës tha se nisi hetime për ngjarjen, me qëllim zbardhjen e rrethanave të tragjedisë.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›